Policia zapton ambientet e News 24, reagon rrjeti SafeJournalist: Veprime të tilla rrezikojnë lirinë dhe pavarësinë e medias

Prej mëngjesit të sotëm, zyrat e mediave News24, Panorama dhe Gazeta Shqiptare janë bllokuar nga Policia, që nuk ka lejuar as gazetarët të futen brenda.

Transmetimi është ndërprerë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, ndërkohë që gazetarët po përballen me efektivët që nuk i lënë të bëjnë punë e tyre.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe rrjeti SafeJournalist, që shkruan se veprime të tilla rrezikojnë ligjin dhe pavarësinë e medias.

“Rrjeti SafeJournalists Shqipëri shpreh shqetësim të thellë për pengimin në aksesin e zyrave të News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare në Tiranë, siç raportohet aktualisht.

Ky pengim kufizon qasjen e gazetarëve në redaksitë e tyre dhe pengon aftësinë e tyre për të punuar. Veprime të tilla rrezikojnë lirinë dhe pavarësinë e medias. Ne po e ndjekim nga afër situatën dhe do të vazhdojmë të monitorojmë zhvillimet”, shkruhet në reagimin e tyre.