Policia federale në Brazil ka bastisur shtëpinë dhe selinë politike të ish-presidentit Jair Bolsonaro, në kuadër të hetimeve për një komplot të dyshuar për përmbysjen e rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2022.
Gjykata e Lartë urdhëroi vendosjen e një byzylyku elektronik në kyçin e këmbës për Bolsonaro-n, ndalimin e kontakteve me zyrtarë të huaj dhe ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale.
Autoritetet shprehën shqetësimin se ish-presidenti mund të tentonte të largohej nga vendi për të shmangur drejtësinë. Në bastisje, policia sekuestroi një shumë parash në dollarë amerikanë, ndërsa Bolsonaro pretendon se bëhet fjalë për mjete personale.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu komunikime të dyshuara midis Bolsonaro-s, djalit të tij Eduardo dhe zyrtarëve amerikanë, për vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve brazilianë, masa që do të përfitonin drejtpërdrejt nga familja Bolsonaro.
Ndërkohë, tensionet janë shtuar edhe nga përfshirja indirekte e ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka kërcënuar Brazilin me tarifa të rënda tregtare nëse nuk ndalet procesi penal ndaj aleatit të tij Bolsonaro.
Bolsonaro rrezikon mbi 40 vite burg nëse shpallet fajtor për organizimin e një grushti shteti. Ai është një nga 34 të akuzuarit për pesë vepra penale të rënda, përfshirë edhe një komplot të supozuar për vrasjen e presidentit aktual Lula da Silva dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.