Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka deklaruar se punonjësit e policisë janë dhunuar nga deputetët e Kuvendit.
I pyetur nga gazetarët nëse është normale që deputetët të përballen me policinë ministri Hoxha tha se efektivët janë aty për të mbrojtur institucionet e vendit.
Ministri ka deklaruar nga Shkodra se asnjë punonjës policie nuk ka pasur armë gjatë ditës së djeshme, te Kuvendi por thjesht po bënin detyrën e tyre.
“Keqardhje për deputetët e opozitës të cilët ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë dhe Gardës që ishin atje për të kryer detyrën. E drejta e tubimit do të garantohet gjithmonë nga ana e punonjësve të policisë, ndërsa e drejta e dhunës, djegies, shkatërrimit, goditjen e punonjësve të policisë nuk do të lejojmë.
Në deklaratë e policisë së shtetit të dhënë dje, është shprehur qartë se nuk ka pasur asnjë tentative të nxjerrjes së armës. Në ligjin për tubimet është shprehur rastet e përdorimit të armës së zjarrit. Forcat nuk kanë pasur armë zjarri”, tha ministri.
Hoxha shprehu keqardhje për deputetët e opozitës, ku tha se duan t’i imponohen mazhorancës me mjete shkatërruese dhe djegëse.
“ Sulmi i deputetëve ndaj policisë dhe Gardës së Republikës, në prag të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, nuk është i pranueshëm sepse ata janë atje për të mbrojtur institucionet kushtetuese.
Forcat e Policisë së Shtetit që kanë qenë të planëzuar në shërbim, kanë qenë për të bërë detyrën. Ndjej keqardhje që forma dhe mënyra e intimidimit dhe e imponimit të kësaj mazhorancen me mjete shkatërruese dhe djegëse nuk është forma e duhur dhe bie ndesh me parimet e demokracisë”, shtoi ministry.