Po punonin mbi urë në momentin që ajo u rrëzua, 6 punëtorë shpallen të vdekur në Baltimore

Gjashtë personat e zhdukur pas shembjes së një ure rrugore në Baltimore të SHBA-së supozohen të vdekur, ndërsa kërkimet për të mbijetuar janë pezulluar.

“Bazuar në kohëzgjatjen e kërkimeve të kryera dhe temperaturën e ujit, në këtë kohë nuk vlerësojmë se do të gjejmë njerëz të gjallë”, shpjegoi zëvendësadmirali Shannon Gilreath gjatë një konference për shtyp.

Ura u shemb pasi një anije tregtare u përplas me një nga kolonat e saj.

Banorët e Merilendit janë të shqetësuar edhe për impaktin ekonomik të ngjarjes. Sipas tyre, humbja e urës do të shkatërrojë të gjithë zonën, si dhe të gjithë Bregun Lindor.

“Ura do të qëndrojë e shembur për vite. Gjëja kryesore që duhet të bëjnë autoritetet është të sigurojnë që kanali ujor të mbetet i hapur pasi ndryshe do të ndëshkojnë Baltimoren. Kalimi është jetik për tregtinë, sidomos atë të minerareve, që është dhe burimi kryesor i të ardhurave në të gjithë shtetin. Dhe tani, ky burim është i mbyllur”, deklaroi Joe Diesel, banor i Baltimores, SHBA.

Sekretari amerikan i Transporteve, Pit Butixhixh, në një konferencë shtypi pranë vendit të ngjarjes, deklaroi se është ende herët për të përcaktuar se sa kohë do të duhet të pastrohet kanali, që është 15 metra i thellë.