Plumbi i Artë/ Të pandehurit nxjerrin sekretet në gjyq, dëshmia: Vrasjen e Oti Kilës e porositi Alibej, kishte marrëdhënie me gruan e tij

Në GJKKO është mbajtur seanca e radhës në lidhje me dosjen “Plumbi i Artë”, ku ka pasur tensione mes Xhuliano Hoxhës dhe Erjon Alibej.

Shkak u bë deklarata e Hoxhës, i cili tha sot në sallën e gjyqëit se për vrasjen e Oti Kilo, financues dhe organizator nuk është Suel Çela siç pretendon Nuredin Dumani, por Erjon Alibej. Sipas Hoxhës, ai ka dashur ta eliminojë Kilën pasi ka pasur një marrëdhënie intime me bashkëshorten e tij.

Ndërkohë Alibej, është shprehur që nuk i duket etike kjo që ka thënë Hoxha dhe ky detaj të dalë në media. Alibej ka thënë se mediat duhet të presin edhe pak pasi të Nuredin Dumani të mbarojë dëshminë e tij, ai do të tregojë gjithçka.

“Mediat të bëjnë durim deri sa unë të filloj deklarimet, do dëgjoni jo vetëm për Suel Çelën por edhe për shumë Suel Çela të tjerë të Shqipërisë. Janë thënë shumë trillime dhe shumë të pavërteta. Bëni durim se do sqarohen të gjitha”- u shpreh Alibej.

Ndërkohë, i akuzuari Petrit Qoli ka akuzuar Nuredin Dumanin për dëshmi të rreme dhe kërkoi nga prokurorët që t’i marrin parasysh pasojat e deklaratave të të penduarit të drejtësisë.

“SPAK ka burgosur një Ervis Naci të vogël. Të bindësh të tjerët të japin nga pasuria është vlerë e madhe nga Zoti. Ju kam shpjeguar pasojat e këtij terrorizmi. Le ti dinë dhe prokurorët pasojat. Të nderuar gjyqtarë, unë nuk e dua me jetën. Do kisha bërë vetëvrasje, por jam besimtar dhe nuk e bëj. Unë një situatë të ngjashme e kam pasur në Itali, kur një tjetër Nuredin më ka akuzuar, por prokurorja italiane më besoi. Unë kam kaq vite në burg, larg familjes, larg babait e njerezve të mi. Do vras veten Behar Dibra. Por shkelni ligjin me katër këmbë”, tha Petrit Qoli në gjyq.