Në prag të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare, në Partinë Socialiste kanë plasur pakënaqësitë.
Burime për mediat bëjnë me dije se ish-zv.kryeministri Erion Braçe ka patur një përplasje me strukturat e partisë në qarkun e Fierit.
Kjo ka bërë që ai të mos jetë më i angazhuar në këtë qark, ndërkohë që nuk dihet nëse kryeministri Rama do ta angazhojë në ndonjë qark tjetër, apo do ta lërë jashtë fushatës zgjedhore.
Drejtuese politike në qarkun e Fierit është caktuar zv.kryeministrja Belinda Balluku, teksa nuk dihet nëse pakënaqësitë e Braçes kanë ardhur pas emërimit të saj. Erion Braçe është një nga deputetët më të zëshëm të mazhorancës, që herë pas here kritikon edhe publikisht punën e qeverisë.
Kryeministri Rama ka bërë të ditur se deputetët me më shumë se 2 mandate do të jenë jashtë listës së sigurt, ndaj Braçe nëse do të jetë në listat e deputetëve, do të duhet të luftojë fort për ta marrë sërish mandatin, sidomos tashmë që nuk është në zonën ku e kanë mbështetur prej vitesh. Të tjera burime për mediat bëjnë me dije se ai mund të jetë i angazhuar në zonën 5 në Tiranë.