Nga Alessandra Migliaccio & Gresa Kraja “Bloomberg”
Gjatë stinës së verës, ujërat ngjyrë blu të qytetit turistik shqiptar të Shëngjinit, janë streha e turistëve në kërkim të një peizazhit mesdhetar me çmime të përballueshme. Nëse kryeministrja italiane Xhorxhia Meloni arrin të realizojë projektin e saj, shumë shpejt atyre do t’u bashkohen edhe rreth 36.000 emigrantë që po përpiqen të hyjnë në Bashkimin Evropian.
Sipas një personi pranë saj, Meloni e përgatiti planin në gusht të këtij viti, teksa ishte vetë me pushime në Shqipëri. Por pavarësisht dëshirës së saj për të ecur përpara me këtë plan, ajo përballet me sfida të mëdha në në Itali, nga ata që nuk duan dëbimin me forcë të atyre që kërkojnë azil, por edhe nga të tjerët që nuk duan që ata të dërgohen në Shqipëri.
“Imagjinoni një turist të huaj të thotë:Le të shkojmë të vizitojmë Shëngjinin, vendin e kampeve të refugjatëve”- thotë Pashk Palokaj, kryetar i Dhomës së Tregtisë në zonën ku do të ndërtohen 2 qendra të reja paraburgimi për emigrantët e paligjshëm. Ndërsa numri i njerëzve që ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm përmes Mesdheut për të ardhur në Evropë, po arrin nivelin më të lartë që nga viti 2016, migrimi po e dikton sërish politikën e kontinentit.
Për të joshur votuesit e tunduar nga partitë, të cilat janë të pozicionuar më në të djathtë të spektrit politik, udhëheqësit e qendrës po garojnë midis tyre, se kush mban qëndrimin më të ashpër ndaj emigrantëve, pavarësisht kërkesave që ka ekonomia për krahë pune.
Italia ka aktualisht një nga nivelet më të ulëta të lindjeve në Evropë, ndaj ka nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar. Grupi tregtar “Altagamma”, thotë se një në dy vende punë në sektorin e tregtisë së prodhimeve artizanale si lëkura dhe tekstilet mbeten të paplotësuara.
Kriza e emigrantëve është shoqëruar me strategji gjithnjë e më të përpunuara, që sipas kritikëve, janë gjithnjë e më mizore dhe më pak të zbatueshme nga ana e qeverive, që duan të shihen nga publiku i tyre se nuk po qëndrojnë duarkryq. Kryeministri britanik Rishi Sunak, e ka vënë në rrezik të ardhmen e tij politike, me propozimin për të dërguar në Ruanda emigrantët e paligjshëm që kërkojnë azil në Britani, duke u përplasur shpesh me gjykatat.
Për shkak të afërsisë së saj me bregun verior të Afrikës, Italia mban peshën kryesore të trafikut të emigrantëve nga deti. Ajo ka kërkuar prej vitesh reformimin e Marrëveshjes së Dublinit të BE-së, e cila parashikon se vendi i parë në të cilin mbërrijnë emigrantët duhet të kujdeset për ta dhe të përpunojë kërkesat e tyre.
“Xhorxhia Meloni po përpiqet të tregojë, se po propozon në mënyrë aktive zgjidhje për këtë çështje”-thotë Lorenzo Pikoli, studiues në Qendrën e Politikave të Migracionit të Institutit Universitar Europian. Por sipas tij ky plan vështirë se do të realizohet.
Për më tepër, propozimi po vihet në pikëpyetje mbi baza ligjore, etike dhe praktike nga të gjithë, nga Amnesty International, deri tek banorët e zonës ku është menduar të ngrihen 2 qendrat e emigrantëve. Zbatueshmëria e saj u vënë në dyshim në fillim të kësaj jave kur Gjykata Kushtuese e Shqipërisë, tha se do të shqyrtojë një padi të dorëzuar nga partitë opozitare.
Duke folur për gazetarët të nesërmen e vendimit, kryeministri Edi Rama u duk i trembur, duke e vlerësuar vendimin e gjykatës si një simbol të pavarësisë së gjyqësorit. “Por përse duhet ta vendosim veten në një pozitë të tillë?”- pyet Arilda Lleshi, një aktiviste lokale në Shëngjin, duke e kritikuar kryeministrin e saj.
“Në vend se të kujdeset për këtë pjesë të botës që ka nën kontrollin e tij, ai dëshiron të bëhet pjesë e problemeve botërore që nuk na përkasin neve”- thekson ajo. Sipas kushteve të marrëveshjes që nënshkroi Meloni me Ramën, kërkesat e refugjatëve për azil do të trajtohen në Shëngjin, jo shumë larg bulevardit ku gjendet resorti ‘Carpe Diem’ që shërben si bazë për të pasionuarit e zhytjes.
Nga atje ata do të transportohen 21 kilometra në brendësi të tokës, në një kamp që po ndërtohet në një ish-pistë ajrore ushtarake pranë Gjadrit, një fshat i izoluar, i njohur si vendi i një baze ajrore sekrete gjatë Luftës së Ftohtë, i gërmuar nën një kodër.
Amnesty International u shpreh në një deklaratë se plani i Melonit është “i paligjshëm dhe i papërshtatshëm”, teksa nënvizoi shqetësimin se azilkërkuesit mund t’i nënshtrohen “paraburgimit të gjatë dhe shkeljeve të tjera”. Kryeministrja Meloni thotë se do t’i luftojë ndaj çdo sfide ligjore ndaj këtij plani.
“Italia dhe Shqipëria do të bëjnë gjithçka që nevojitet për t’u siguruar që kjo të jetë një marrëveshje model”- tha Meloni në nëntor. Ministri i saj i Jashtëm, thotë se plani nuk mund të krahasohet me atë të Mbretërisë së Bashkuar – që i ka kushtuar 300 milionë dollarë, pa pasur ende një deportim në Ruandë – sepse qendrat e paraburgimit do të kenë staf italian dhe do të funksionojnë sipas ligjit italian.
Pra në thelb ato do të funksionojnë si një enklavë. Kjo është pikërisht baza, mbi të cilën opozita në Shqipëri po e sfidon marrëveshjen, duke thënë se ajo e cenon sovranitetin e vendit të të tyre. Në një ditë të lagësht nëntori në kodrat e Gjadrit, nuk kishte asnjë shenjë ndërtimi që do ta kthente këtë vend në qendër të strategjisë së Melonit mbi migrimin.
Qyteti ka një popullsi zyrtare prej 2.000 banorësh, por de fakto atje jetojnë vetëm rreth 700 njerëz, për shkak të migrimit të njerëzve në kërkim të sigurisë ekonomike. E kaluara e tij është si një aeroport i kohës së Luftës së Ftohtë, një relike e kohës kur lideri paranojak i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Enver Hoxha, e fortifikoi vendin për të qenë të përgatitur në rastin e një pushtimi tokësor, që në fakt nuk ndodhi kurrë.
Asfalti i krisur në pistë dëshmon për mospërdorimin e tij prej kohësh. Nëse ndërtimi i kampit nis në mars 2024 siç është planifikuar, do të pranohen deri në 3.000 emigrantë në muaj, shumë më tepër sesa popullsia lokale. Bregdeti i Adriatikut në Shqipëri, ka qenë prej kohësh i përfshirë në gjendjen e vështirë të njerëzve që ikin nga atdheu i tyre.
Në Shëngjin ndodhen tashmë disa familje refugjatësh afganë. Por nga mijëra që mbërritën në vitin 2021, vetëm 150 njerëz mbeten ende në qytet në pritje të vizave amerikane dhe ata qëndrojnë në një hotel. Vetëm një orë larg më në jug ndodhet porti i Durrësit, nga ku me rënien e komunizmit shqiptar, anija “Vlora” u nis për në Itali me 20.000 njerëz në bord.
Imazhet e emigrantëve që lëkundeshin nga direkët dhe velat e anijes, mbeten të gdhendura në ndërgjegjen kolektive të të dyja vendeve. Krahina në të cilën ndodhet Shëngjini, njihej dikur si Iliri, dhe është e njohur për shumë banorë anglishtfolës dhe si vendi ku zbarkuan personazhet e Shekspirit pas mbytjes së anijes së tyre në fillim të shfaqjes “Nata e Dymbëdhjetë”.
Këtë vit, numri i emigrantëve që zbarkuan në Itali ka shkuar në mbi 150 mijë. Në shtator, një foshnjë e porsalindur u gjet e vdekur gjatë një operacioni të kërkim-shpëtimit në ishullin e vogël italian Lampeduza. Ishte një nga mbi 2500 personat që kanë vdekur këtë vit në përpjekje për të mbërritur në Evropë.
Edhe fqinjët e Italisë përballet me versionet e tyre të krizës së emigrantëve, e cila manifestohet gjithashtu tek populistët e të djathtës ekstreme, që synojnë të nxjerrin kapital politik prej saj.
Të fiksuara në mendjet e liderëve janë kujtimet e vitit 2015, kur Angela Merkel hapi dyert e Gjermanisë për ata që iknin në masë nga Siria e shkatërruar nga lufta. Ai akt ndihmoi në rritjen e mbështetjes për AfD-në e ekstremit të djathtë. Tani që AfD renditet më lart në sondazhe se socialdemokratët e kancelarit Olaf Sholc, udhëheqësi gjerman thotë se është i hapur për të studiuar planin e Melonit.
E djathta në Itali është tradicionalisht kundër të ardhurve të rinj, edhe pse një pjesë e elektoratit të saj, pronarë të bizneseve në zonat veriore kanë kërkuar periodikisht amnisti për të emigrantët e paligjshëm. Ishte një qeveri e krahut të djathtë, ajo që në vitin 2002 legalizoi 634.000 emigrantë, në mënyrë që ata të mund të punonin në fabrikat e Italisë.
Sot, shoqata italiane e biznesit Confindustria, po kërkon sërish punëtorë të kualifikuar. Një pikëpyetje tjetër mbi planin e Melonit, ka të bëjë me statusin e pasigurt të Shqipërisë, e cila është një kandidate për t’u anëtarësuar në BE. Marrëveshja e arritur më Ramën, mund të inkurajojë mbështetjen e Melonit për pranimin e Shqipërisë në union.
Por sapo të arrijë anëtarësimin e plotë, ajo do t’i nënshtrohet rregullave evropiane për migracionin, të cilat do anulojnë marrëveshjen dypalëshe më Italinë mbi trajtimin e azilkërkuesve. “Kjo marrëveshje është thjesht triku i fundit publicitar i Melonit, pa asnjë substancë reale”- thotë Nathalie Toçi, drejtore e qendrës së mendimit, Istituto di Affari Internazionali, me qendër në Romë.
“Pasi t’u refuzohet kërkesa për azil në Shqipëri, emigrantët do të nisen në këmbë drejt BE-së”- thekson ajo. Në Shëngjin porti është i qetë, duke mos dhënë asnjë shenjë të asaj që e pret në të ardhmen. “Migrimi është pjesë e historisë sonë”- thotë Sandër Marashi, drejtues i portit të Shëngjinit, i cili kujton anijet që niseshin për në Itali nga vendlindja e tij. “Në atë kohë nuk kishte asnjë organizim, por italianët na pritën në shtëpitë e tyre. Tani është radha e Shqipërisë të bëjë diçka të tillë për të tjerët”- shton ai.