Plani i PS për t’i marrë opozitës drejtimin e Komisionit të Integrimit, reagon delegacioni i BE

Delegacioni i Bashkimit Europian ka reaguar në lidhje me ndryshimet që mund të bëhen në Komisionin e Integrimit, ku drejtimi do t’i hiqet opozitës dhe do t’i kalojë mazhorancës, ndërsa ky komision do të shkrihet me një tjetër.

Delegacioni i BE nënvizon se Parlamenti është një institucion kyç për çuarjen përpara të agjendës së reformave që lidhen me BE-në dhe konsolidimin e progresit të arritur deri tani në kontekstin e procesit të anëtarësimit.

Për Bashkimin Europian, konsensusi partiak është shumë i rëndësishëm teksa vendi ynë aspiron që të futet në union.

“Në këtë drejtim, presim me padurim hapat konstituivë të parlamentit të ri, si dhe presim që integrimi në BE të mbetet një përparësi ndërpartiake për ligjvënësit në legjislaturën e re parlamentare. Për të qenë i suksseshëm, anëtarësimi ka nevojë për konsensus ndërpartiak”.

Edhe pse nuk ka asgjë konkrete, burime për mediat kanë bërë me dije se me ristrukturimin e komisioneve parlamentare, të cilat do të shtohen nga 8 në 11, mazhoranca synon të shkrijë në një të vetëm Komisionin për Çështjet Europiane, që është drejtuar historikisht nga opozita, me atë të Politikës së Jashtme, duke i marrë opozitës drejtimin e një prej komisioneve më të rëndësishëm që ajo ka drejtuar deri më sot.