Plagosja te Komuna e Parisit, Drejtori i Policisë Tiranë: Efektivi nuk donte ta vriste, i bëjmë thirrje të dorëzohet

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka dhënë një deklaratë për gazetarët, pas plagosjes te Komuna e Parisit, ku autor është efektivi Erjon Goxhara.

Nga vendi i ngjarjes, Vocaj tha se ka komunikuar me efektivin dhe se ky i fundit është në gjendje të rëndë psikologjike. Më tej ai bëri thirrje që të vetëdorëzohet.

Propabiliteti shtoi Vocaj është se autori mund të ketë qëlluar me armën e shërbimit, megjithëse nuk ka qenë në orar pune në ato momente.

Ndër të tjera, Vocaj tha se efektivi nuk ka dashur që ta vrasë 45 vjeçarin, ndaj edhe e ka qëlluar në pjesën e poshtme të trupit.

Kujtojmë se i plagosuri Lorenc Kosta ndodhet aktualisht në spital dhe nuk ka rrezik për jetën.

“Siç jeni në dijeni rreth orës 14:00, E.G punonjës policisë në strukturat për Migracionin në Tiranë ka plagosur një 45-vjeçar. Policia po kryen veprimet e domosdoshme hetimore. Po punojmë për ta lokalizuar. Mundësia me e madhe është të ketë qëlluar me armën e shërbimit. Motivet janë motive të dobëta. Jemi duke zhvilluar hetim, mund të themi se autori e ka qëlluar në pjesën e poshtme gjë që nuk tregon se ka dashur ta vrasë. Jemi duke kryer hetimet. Nuk e dimë nga është i plagosuri. Besoj në orët e pasdites do të kemi një komunikatë të plotë. Punonjësi i policisë ka qenë jashtë orarit të punës. Kam komunikuar me efektivin është në gjendje të rënduar psikologjike, po e kontaktojmë që mos të kryejë ndonjë veprim tjetër ndaj vetes. Jemi duke shpenzuar energjitë ta kapim. I bëjmë thirrje dhe nëpërmjet medias që të dorëzohet. Siç duket i plagosur nuk është në rrezik për jetën” – tha Vocaj.