Plagosja e çiftit në Rrogozhinë/ Gjendet arma e krimit, autori e fshehu në një mur

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Gosë të Rrogozhinës mëngjesin e sotëm, ku pas një konflikti mes fqinjve kanë mbetur të plagosur dy persona, të identifikuar si Sami dhe Nadire Disha.

Mediat raportojnë se në drejtim të tyre është qëlluar nga komshiu, i identifikuar si Shpëtim Osma, i cili ka rënë në pranga.

Ndërkohë Policia bën të ditur se gjetën të fshehur në një mur armën e zjarrit me të cilën dyshohet se autori plagosi fqinjët.

Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë:

Kavajë-Në vijim të veprimeve për dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur në fshatin Gos, shërbimet e Policisë gjetën  të fshehur në një mur dhe sekuestruan në cilësinë e provës  materiale armën e zjarrit tip pistoletë, me të cilën dyshohet se autori ka plagosur shtetasit S.D, dhe N.D.

Po në vijim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetsin Sh. O., 56 vjeç, pasi ky shtetas  dyshohet se plagosi me armë zjarri dy komshinjtë e tij gjatë një konflikti për motive të dobëta.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.