Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i ktheu sot përgjigje kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhit, në lidhje me kërkesën që ai kishte bërë për të përfshirë për shqyrtim në seancën më të afërt plenare zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Sipas Nikollës, kërkesa e Bardhit për të mbledhur Konferencën e Kryetarëve për të futur në rend dite këtë çështje nuk qëndron, pasi kërkesa e tij është objekt i organeve të tjera të Kuvendit dhe jo i Konferencës së Kryetarëve.
Në letrën drejtuar Bardhit, thuhet se fillimisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese e ka marrë Këshilli për Legjislacionin, në datën 23 Janar 2023, ndërsa më pas raporti do t’i kalojë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Ky i fundit e merr në shqyrtim raportin dhe ia paraqet Kryetarit, i cili ia përcjell seancës plenare brenda dy javëve nga përfundimi i shqyrtimit të çështjes.
Por çfarë kanë bërë këto dy organe të Kuvendit në më shumë se 1 vit?
Kërkesa e Gjykatës Kushtetuese është marrë që në 23 Janar 2023, siç thotë edhe Nikolla, por prej më shumë se 1 viti këto organe nuk kanë marrë asnjë vendim, duke u munduar ta zgjasin sa më shumë këtë çështje.
Justifikimi për kaosin në Kuvend nuk qëndron, pasi aksioni opozitar zgjati vetëm 5 muaj, ndërkohë që kërkesa e Kushtetueses ka 14 muaj që është dërguar në Kuvend. Arrestimi i Jorgo Goros dhe sekuestrimi i truallit me të cilin bashkëshorti i Olta Xhaçkës u shpall investitor strategjik, tregon se SPAK do të mësyjë edhe në familjen e ish-ministres për këtë çështje.
Përse mazhoranca po e mbron me fanatizëm Olta Xhaçka? A po kërkon Rama të dalë i “pastër” nga kjo çështje, pasi vetë ai ka firmosur për të shpallur Artan Gaçin investitor strategjik?
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e ka bërë të qartë: Vendimet e “Kushtetueses” nuk diskutohen, zbatohen! Por, pushteti i kësaj mazhorance duket se ka arritur në atë pikë ku shpërfill çdo vendim apo ligj.