Masa e sigurisë “detyrim paraqitje” për Sali Berishën ka sjellë një situatë të pazakontë në Gjykatën e Posaçme, të cilën nuk e ka hasur më parë.
Si të mos mjaftonte refuzimi i Berishës për të dëshmuar për shkak se gjykata nuk ka marrë miratim nga Kuvendi, tashmë GJKKO duhet të zgjedhë edhe avokatin mbrojtës për ish-kryeministrin.
Avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mengjesi braktisën seancën e sotme për shkak se nuk u pranua kërkesa e tyre për ta çuar çështjen në Kushtetuese, ndaj Gjykata caktoi avokatin Artan Simoni për të mbrojtur ish-kryeministrin.
Por postimi i dy ditëve më parë i avokatit Simoni, i ka hapur punë këtij të fundit. Postimin e tij e publikoi Shkëlzen Berisha, ku shihej se avokati sulmonte ish-kryeministrin, ndaj gjykata vendosi ta zëvendësojë me një tjetër.

Për këtë arsye, gjykata vendosi edhe që seanca të shtyhet për nesër në orën 10 paradite, teksa nuk dihet ende cili do të jetë avokati i ri i Sali Berishës.
Njoftimi i Gjykatës:
Me kerkese te Prokurorise, me qellim garantimin e mbrojtjes efektive, Gjykata zevendesoi av Artan Simoni me avokat tjeter nga lista e avokateve kryesisht dhe i la kohe te njihet me aktet. Seanca do te zhvillohet ne daten 26.10.2023 ora 10am.