Irani ka lëshuar raketa në Izrael, ka njoftuar sw fundmi ushtria izraelite. Sulmi si hakmarrje për fushatën e Izraelit kundër grupit Hezbollah në Liban shënon një përshkallëzim të konsiderueshëm të konfliktit.
Më shumë se 100 raketa u lëshuan, sipas mediave izraelite. Sirenat paralajmëruese u dëgjuan në Jerusalem pak pas orës 17:30 me orën lokale dhe u dëgjuan shpërthime.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) i kanë bërë thirrje banorëve që të shkojnë në zonat e mbrojtura.
Më herët, një zyrtar i lartë i administratës amerikane kishte paralajmëruar se Irani po përgatitet për të nisur një sulm “të menjëhershëm” me raketa balistike ndaj Izraelit, duke shtuar se do të kishte “pasoja të rënda” nëse një gjë e tillë ndodh.
Zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Shtetet e Bashkuara po mbështesin aktivisht përgatitjet e Izraelit për mbrojtje. Anije dhe avionë amerikanë janë vendosur në rajon për ta ndihmuar Izraelin në rast të një sulmi.