Përllogaritjet e fundit/ Zbardhen detaje nga marrëveshja e Partisë Demokratike me aleatët, qarku ku pritet të garojë Ilir Meta

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga afati përfundimtar për të dorëzuar listën e kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, partitë politike po bëjnë llogaritë e tyre elektorale.

Aktualisht, Partia Demokratike vijon procesin në përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë dhe paralelisht po mendon për krijimin e vendeve të rezervuara për aleatët.

Sipas marrëveshjes së shpallur për koalicionin “Për Shqipërinë Madhështore”, Partitë Aleate kryesore do të kenë 8 vende të sigurta në listat e 12 qarqeve.

Mediat raportojnë se 4 kandidatët e Partisë së Lirisë po mendohet të pozicionohen dy në Tiranë, një në Fier dhe i fundit në Elbasan.

Konkretisht në Tiranë priten të jenë Erisa Xhixho dhe Tedi Blushin, kurse Edmond Haxhinasto në Elbasan.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili aktualisht ndodhet në burg, pritet të garojë në qarkun e Fierit. Mësohet se kandidimi në Fier është kërkuar nga vetë Meta.

Po ashtu janë ende në negociatat kandidatët e 3 partive të tjera si PDIU, PR dhe PBDNJ. Më e qarta është PAA, e cila e ka shpallur prej kohësh që do e ketë kandidatin e saj në qarkun e Durrësit.

Ndërkohë, marrëveshja e PD me aleatët nuk është vetëm për listat e mbyllura.

Po ashtu ato do kenë kandidatë për deputetë edhe në listat e hapura, në bazë të peshës elektorale të gjithsecilës. Po në listat e hapura, pritet të ketë vende të rezervuara në disa qarqe për partitë e tjera të vogla, që i janë bashkuar në koalicion PD-së.