Përplasja me armë me një viktimë dhe 4 të plagosur në Laç, gjykata lë në burg dy të akuzuarit

Gjykata e Lezhës ka lënë në burg Klevis Ndrecën dhe Daniel Gjeloshin në lidhje me përplasjen me armë në Laç, ku humbi jetën Gerald Bitri ndërsa u plagosën katër të tjerë, mes tyre edhe një grua që shiste qirinj në rrugë.

Ndreca u paraqit personalisht në seancë për t’u njohur me masën, ndërsa Gjeloshi, i cili ndodhet në spital për shkak të plagëve, u përfaqësua nga avokati i tij.

Pas shqyrtimit të çështjes, gjyqtari Lirim Buluca vendosi të konsiderojë të ligjshëm arrestimin dhe caktoi ndaj tyre masën “arrest në burg”, për akuzat e “vrasjes” dhe “mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”.

Por si ndodhi ngjarja e rëndë?

Klevis Ndreca ka qenë në makinë me Amarildo Ndojn, ndërsa Daniel Gjeloshi ka qenë në makinë me Liridon Ismailaj dhe Gerald Bitrin.

Sipas hetimeve paraprake përplasja ka nisur pas një konflikti banal në trafik, ku automjetet e të rinjve preken në pasqyra. Ata ranë dakord të ndalojnë dhe të sqarohen në një segment tjetër rruge, por takimi degjeneroi në përdorim armësh. 

Klevis Ndreca është vetëdorëzuar në polici pas ngjarjes, ku ka dorëzuar edhe armën e krimit.

Në dëshminë e tij paraprake, Ndreca ka deklaruar se ka qëlluar me armë drejt të rinjve sepse është trembur pasi sipas tij i ka parë që kanë pasur armë dhe kanë dashur ta godasin.