Përplasen dy makina në Lezhë/ Plagosen dy shoferët dhe disa pasagjerë, njëri prej tyre dërgohet drejt Traumës

Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin Lezhë-Manati, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë e përplasjes raportohet se kanë mbetur të plagosur 5 persona.

Njëri prej tyre ka marrë fraktura të shumta dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore.

Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti.

“Rreth orës 10:15, në rrugën e fshatit Manati, janë përplasur automjetet me drejtues shtetasit A. K., 60 vjeç, dhe K. Gj., rreth 25 vjeç.  

Si pasojë janë dëmtuar 2 drejtuesit e automjeteve dhe 3 pasagjerët në automjetin që drejtonte shtetasi K. Gj., të cilët janë dërguar në spital, në gjendje jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.