Përmbyset rezultati në Vorë, kush kryeson pas numërimit elektronik në 6 qendra votimi 

Koalicioni “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” ka përmbysur rezultatin pasi janë numëruar disa kuti në Vorë, ku u votua në mënyrë elektronike. Nga numërimi elektronik i 6 kutive të para në Bashkinë e Vorës, nga 44 qendra votimi, koalicioni opozitar ka siguruar 522 vota, ndërsa PS 501 vota.

PD-ASHM janë në avantazh të ngushtë prej 21 votash teksa pritet të dalë edhe rezultati i 38 QV të Vorës. Kujtojmë se në zgjedhjet e kësaj të diele 3.713,761 qytetarë kishin të drejtë vote, përfshirë edhe Diasporën, ku 114,642 ishin votues për herë të parë.

Votimi nisi zyrtarisht në orën 07:00 në të gjithë vendin dhe u mbyll në 19:00. Në garë për 140 ulëset në Kuvend janë 2046 kandidatë, nga 11 parti dhe subjekte politike.

Pjësëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje ishte më e ulët në krahasim me 4 vite më parë. Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi tha se deri në orën 19:00, kanë marrë pjesë në zgjedhje 41.6 përqind e qytetarëve.