“Përjashtimi i 8 deputetëve të PD, i turpshëm”/ Debate tek konferenca e Kryetarëve: Akti i bllokimit të seancës ishte simbolik

Mbledhja e sotme e konferencës së Kryetarëve është shoqëruar me debatë. Kjo pasi dy deputetët e PD Jorida Tabaku dhe Agron Gjekmarkaj kanë kundërshtuar vendimin e Komisionit të Etikës për të përjashtuar 8 deputetë për 10 ditë nga Kuvendi.

Tabaku është shprehur se nuk u cenua askënd dhe se bllokimi i seancës nga ana e deputetëve të pezulluar ishte në formë proteste.

“Përjashtimi i deputetëve të PD-së i turpshëm.  Seanca u bllokua për një kërkesë legjitime që ju e refuzuat. Ju na keni kufizuar hapësirat. Vendimi erdhi pasi ju refuzuat të fusni në rend një kërkesë të grupit tonë. Nuk cenuam askënd fizikisht, ishte formë demokratike proteste”, u shpreh ajo.

Ndërsa deputeti Gjekmarkaj theksoi se vendimi është arbitrar dhe se akti i ligjvënësve opozitë ishte simbolik.

“Është turp që keni përjashtuar opozitën nga seanca. Ky është vendim arbitrar dhe i turpshëm. Më kujtohet nje slogan juaji “Shqipëria që duam” dështuat ta bënit këtë. Tani po bëni “opozita që duam”. Akti ynë ishte simbolik”, tha Gjekmarkaj.

Deputetët  e pezulluar nga Kuvendi janë Gazment Bardhi, Elda Hoti, Albana Vokshi, Bledion Nallbati, Zheni Gjergji, Lefter Gështenja, Asllan Dogjani, Luan Baçi. Ata u pezulluan me argumentin se me sjelljet e tyre thyen Rregulloren dhe Kodin e Sjelljes së Deputetit  duke penguar zhvillimin normal të seancës plenare.