Kreu i PD, Sali Berisha ka folur sot në lidhje me protestën e opozitës ditën e djeshme, ku bllokuan 6 akse rrugore në të gjithë vendin.
Gjatë një komunikimi për median, Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie, tha se dje në mbrëmje, Shqipëria u çlirua për tre orë.
“Kryefjala e çdo shqiptari, lajmet e agjencive botërore, ishin një dhe vetëm një, paralizimi prej 3 orësh i Shqipërisë nga veriu në jug. Për këtë më duhet të bëjë një korrigjim, në pamje të parë dukej se Shqipëria ishte e paralizuar për 3 orë, por mbrëmë Shqipëria ishte e çliruar për 3 orë.
Dje Shqipëria rifitoi dinjitetin për 3 orë, por më e rëndësishmja, mesazhi i shpresës që ne u përcollëm qytetarëve, opozita nuk ka frikë nga narkoshteti”, tha Berisha.
Ndër të tjera, ai ka paralajmëruar se në protestën e radhës nuk do të ketë vetëm bllokim rrugësh.
“Herën tjetër do të jetë 3 ditë ose 3 javë nëse është nevoja. Jo vetëm bllokim rrugës por edhe okupim i institucioneve pa të cilat narkoshteti nuk funksionon dot”, tha Berisha.