Ka përfunduar procesi i rinumërimit për qarkun e Tiranës ndërsa nuk ka sjell asnjë ndryshim sa i takon shpërndarjes së mandateve.
Ky proces zgjati 9 ditë, ku u rinumëruan 1207 kuti votimi, ku ajo çfarë u vu re ishte trafikimi i fletëve të votimit brenda listës preferenciale të kandidatëve.
Gjithashtu dy partitë më të mëdha në vend, dolën me më shumë vota, të cilat i kanë marrë padrejtësisht në 11 Maj.
Sa u takon kandidatëve, Ilir Alimehmeti nga PD, në procesverbal rezulton të ketë më shumë vota se çfarë kishte realisht në kuti.
Ndërsa në PS, “rekordin” e mban ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i ndjekur nga Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe.
Anëtari i KAS, Ledio Braho, në një komunikim për mediat tha se nga rinumërimi në Tiranë ka rezultuar se nuk ka lëvizje të konsiderueshme të votave.
“Po të vini re shifrat janë më të larta te ata kandidatë që kanë marrë më shumë vota. Duket që është proporcionalitet gabimi dhe jo i qëllimshëm, sepse nëse do të kishte trafikim votash këto shifrat e mëdha do ishin te kandidatët që kanë marrë realisht pak vota. Nuk ka pasur lëvizje të konsiderueshme votash”, tha Braho.