Për Shqipërinë, për Kosovën! Më shumë se një ndeshje futbolli, luhet për historinë

Shqipëri – Serbi nuk mund të jetë kurrë vetëm një lojë futbolli, është më shumë se kaq. Është një përplasje mes dy popujve që historia i ka vendosur shpesh përballë njëri-tjetrit. Është përplasje e gjatë mes atyre që duan të ndërtojnë paqe mbi të vërtetën dhe atyre që duan të ruajnë paqen mbi gënjeshtrën.

Në “Air Albania” nuk do të zbresin vetëm 2 ekipe, do të zbresin 2 kombe, pasi 3 pikët nuk janë e vetmja gjë që fitohet nga kjo përballje. Fitorja jonë do të ishte një përgjigje e qetë, por e prerë, ndaj atyre që mendojnë se shqiptarët ende mund të heshtin. Ndaj atyre që e shohin shqiptarësinë si kërcënim, jo si realitet.

Ndeshja e Beogradit në vitin 2014 tregoi më së miri kulturën e tyre, ndërsa droni me flamurin “Autochthonous” u tregoi të vërtetën e hidhur që nuk duan ta pranojnë, se ne jemi këtu prej shekujsh, që nga ilirët e deri më sot.

Por sot jemi në shtëpinë tonë, në tokën tonë, në stadiumin tonë, ku çdo pëllëmbë ka aromën e flamurit kuqezi dhe zërin e një kombi që nuk harron. Serbia nuk është thjesht një kundërshtar. Është përfaqësuesja e një shteti që ende, në shekullin XXI, refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, që investon diplomatikisht në fushata anti-shqiptare.

Prandaj, kur shqiptarët ngrihen për të përkrahur kombëtaren, nuk janë vetëm tifozë të sportit, janë dëshmitarë të historisë.

Sot, lojtarët shqiptarë nuk kanë nevojë të motivohen nga trajneri, pasi ata më shumë se kurrë e ndiejnë peshën e kësaj përballje, ndaj presim të shohim një skuadër që vrapon, lufton sikur të ihste ndeshja e fundit për ta.

Për sa i përket pjesës sportive, trajneri Sylvinho ka ende dyshimet e tij mbi formacionin që do të hedhë në fushë, sidomos në sulm, ku alternativat janë të shumta. Të sigurt duken Strakosha në portë, Gjimshiti në qendër dhe Mitaj në të majtë të mbrojtjes.

Ndërkohë, ka balotazh në krahun e djathtë mes Hysaj dhe Balliut, ndërsa partneri i Gjimshitit në qendër të mbrojtjes do të jetë një mes Ajetit, Kumbullës dhe Ismajlit.

Në mesfushë, të sigurt janë Ramadani dhe Asllani, ndërsa drejt një fanelle titullari po shkon edhe Qazim Laçi.

Në Treshen e sulmit të sigurt vendin duket se e ka vetëm Armando Broja, por që nuk dihet nëse do të luajë në krah apo në qendër, kjo në varësi të dy lojtarëve të tjerë që do të zgjedhë Sylvinho. Bajrami duket më i avantazhuar se të tjerët për të qenë pjesë e treshes së sulmit, ndërsa, Daku, Manaj dhe Uzuni janë në luftë për një fanellë titullari.

“Air Albania” sot do të jetë plot, por për fat të keq do t’i mungojnë ata që nuk e kanë lënë kurrë vetëm kombëtaren shqiptare, Tifozat Kuq e Zi, të cilët nuk u pajisën me bileta nga FSHF, pasi kjo e fundit vendosi t’i hedhë në treg nëpërmjet përzgjedhjes online.

Pavarësisht kësaj, ata do të organizohen për ta parë ndeshjen në një prej lokaleve të kryeqytetit, pasi nuk mund të mungojnë në një përballje kaq të rëndësishme.