Kardinali Robert Prevost është zgjedhur Papa i ri. Ai do të jetë udhëheqësi i 267 i Kishës Katolike. Robert Prevost do të jetë Papa i pari me origjinë nga Amerika dhe do të quhet Papa Leone XIV.
I lindur në Çikago në vitin 1955 në një familje katolike me origjinë evropiane, Prevost është shumë më tepër sesa një klerik i Amerikës së Veriut. Përvoja e tij e gjatë misionare në Amerikën Latine, veçanërisht në Peru, e ka transformuar atë në një figurë që i zbeh kufijtë gjeografikë dhe ideologjikë midis Veriut dhe Jugut të botës. Për këtë arsye, ka nga ata që e konsiderojnë atë pothuajse një zë të të ashtuquajturit Jug Global, atij Jugu global që Papa Bergoglio e ka rikthyer në qendër të agjendës kishtare.
Gjatë qëndrimit të tij në Peru, në krye të një prej dioqezave më të varfra dhe më problematike në vend, Prevost ndau jetën e përditshme të komuniteteve lokale, duke mësuar ta lexojë botën dhe Kishën nga një perspektivë “e përmbysur”. Ishte ky vendi ku ai zhvilloi një ndjeshmëri të veçantë ndaj dinamikës së margjinalizimit, migrimit dhe pabarazive, duke intuituar potencialin profetik të një Kishe më afër më pak fatlumëve.
Si murg augustinian me një karakter të rezervuar, ai u thirr në Romë nga Papa Françesku për të marrë përsipër një rol strategjik: prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë. Në këtë pozicion kyç, ai menaxhoi qindra emërime ipeshkvore, duke ndihmuar në trajnimin e një brezi të ri pastorësh që ishin më të hapur, më pak gjykues dhe më afër plagëve të njerëzve.
Zgjedhja e Papës së ri ka sjellë brohoritje dhe festime midis turmave të mbledhura në Vatikan. Ishin me dhjetëra mijëra qytetarë që duartrokitën zgjedhjen e Papës së ri, kardinalit Robert Prevost.