Pensionet e ulëta/ Ministri Gonxhja justifikohet: Që të na dalin llogaritë, duhen 2-3 të punësuar për një pensionist

Pensionistët janë një nga shtresat të përfolura si më të “keqtrajtuara” nga qeveria, për shkak se me rritjen e madhe të çmimeve, pjesa më e madhe e tyre me pensionet që marrin nuk arrijnë dot të mbulojnë as shpenzimet minimale.

Në një takim me kryeministrin Rama dhe ministrin Petrit Malaj, ministri e Ekonomisë, Blendi Gonxhja u shpjegoi pensionistëve sfidën e rritjes së pensioneve sipas tij, duke dhënë shpjegime se përse pensionet janë kaq të ulëta, është se për një pension, duhen 2-3 të punësuar.

“Kur kam folur me kryeministrin Rama, sfida kryesore ishte shqetësimi për rritjen e pensioneve. Mbi 1/5 e buxhetit të shtetit shkon për pensionet dhe me pjesën tjetër duhet të realizohet çdo gjë tjetër. Që të na dalin llogaritë, duhet që për një pension të kemi 2-3 të punësuar, ndërkohë që aktualisht është 1 me 1. Po punojmë fortë dhe sot jemi më pranë se kurrë për ta zgjidhur dhe korrigjuar situatën e pensioneve. Jemi shumë të angazhuar për tolerancën 0 ndaj deklarimeve fiktive”, u shpreh ministri.

Ministri Petrit Malaj tha se po shqyrtohet mundësia e rritjes se bonusit të fundvitit, bazuar në kapacitetet financiare që ka vendi. Më tej ai shpjegoi edhe funksionimin e skemës së re të pensioneve.

“Në terma afatgjatë është krijimi i një skeme të qëndrueshme, që do të garantojë rritjen e qëndrueshme. Indeksimi me 4.1% nuk ka të bëjë me reformën që duam të bëjmë ne në skemën e pensioneve”, shtoi ministri.

Kujtojmë se aktualisht për të marrë një pension minimal qytetarët duhet të kenë minimumi 15 vite punë, ndërsa që këtë pension ta marrin të plotë duhen plot 38 vite pune të deklaruar.