Partia Demokratike ka depozituar ditën e sotme në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës.
Në konferencën për shtyp, kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, zbuloi edhe disa nga akuzat e tjera për Begajn, mes të cilave janë edhe punësimet fiktive Presidentit dhe djalit të tij.
Sipas Bardhit, Bajram Begaj përveçse është President, është i punësuar edhe si konsulent në një klinikë mjekësore private, në kundërshtim me ligjin.
“E dini ju që presidenti ndërkohë që është President rezulton i punësuar nga një klinikë private mjekësore. Ditën bën presidentin, pasdite paguhet nga rrjeti i klinikave private Acibadem siç deklaron vetë të ardhurat çdo vit. Ky është niveli i presidentit të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Bardhi.
Ndërkohë, Bardhi e akuzoi Begajn se i ka dhënë 100% të tenderave të Presidencës kompanisë e cila ka punësuar fiktivisht djalin e tij të vogël.
Sipas Bardhit, djali 23 vjeçar i Begajt figuron i punësuar në një kompani private me një pagë që është dyfishi i mesatares së pagave të punonjësve të tjerë, dhe është punësuar pikërisht pasi Begaj u bë President.
Madje, djali i Presidentit nuk jeton në Shqipëri, por ka vetëm emrin dhe merr pagën në këtë kompani. Bardhi paralajmëroi edhe një kallëzim në SPAK në lidhje me këtë çështje.
“Në kundërshtim me nenin 11, 86, 88 dhe 89 të Kushtetutës ka krijuar një gjendje permanente konflikti interesi që cënon konkurrencën e lirë në treg, duke i dhënë përfitimet e të gjitha prokurimeve publike të institucionit të Presidentit në fushën përkatëse, kompanisë private ku është punësuar, i dyshuar në mënyrë fiktive, djali i tij, pas emërimit të Begaj si President.
Konkretisht, djali i Presidentit vetëm 23 vjeç rezulton me studime dhe punësime jashtë, rezulton se është i punësuar në një kompani sigurimesh në Shqipëri që rezulton me një pagë që është dyfishi i pagës mesatare i punonjësve në këtë kompani. Rezulton që është i 4 me pagën më të lartë në këtë kompani. Kjo kompani aplikon për të fituar tendera në institucionin e Presidentit që drejtohet nga babi i djali dhe rezulton se është 100% fituese e të gjitha tenderave në institucionin e Presidentit. Jemi para një krimi dhe korrupsioni”, tha Bardhi.