PD në kërkim të kandidatit për zgjedhjet e Tiranës, të mandatuarit e Berishës nisin konsultimet me aleatët

Partia Demokratike ka nisur takimet me aleatët për të gjetur kandidatin që do të rivalizojë Ogerta Manastirliun në zgjedhjet e Bashkisë Tiranë.

Mësohet se grupi negociator, Belind Këlliçi, Flamur Noka dhe Ilir Alimehmeti  do të takohen sot me kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, si dhe kreun e Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka.

Ndërkohë ditën e nesërme do të takohen me drejtuesit e Partisë së Lirisë.

Javën e ardhshme ata do të takohen me Agron Shehajn të Partisë Mundësia, Adriatik Lapaj të “Shqipëria Bëhet” dhe Arlind Qorin e “Lëvizja Bashkë”.

Kujtojmë se një ditë më parë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se opozita nuk ka ende nje emër konkret se kë do të caktojnë në këtë garë të rëndësishme, por shtoi se janë mandatuar Këlliçi, Alimehmeti dhe Noka për të diskutuar me aleatët.

Ndër emrat më të përfolur në PD për të garuar për Bashkinë Tiranë ishin Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti, por të dy kanë refuzuar. Tashmë pritet me interes se çfarë do të prodhojnë nëgociatat me PD dhe aleatëve, ndërsa emri i kandidatet pritet me kuriozitet.