Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk humb kohë kur vëren se aktorët politikë në Shqipëri ndërmarrin veprime, të cilat ngjallin dyshime të forta për korrupsion.
Mediat raportojnë se kjo strukturë ka nisur hetimet pas publikimit të kontratës së Partisë Demokratike e me kompaninë amerikane ‘Continental Strategy”, e zotëruar nga njerëz të afërt të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Aamerikës, Donald Trump, për të lobuar pranë qeverisë amerikane për një periudhë dy vjeçare.
SPAK, siç raportojnë mediat, ka nisur hetimet kryesisht pas publikimit të kontratës në media.
Kontrata në fjalë mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka me garantor shqiptaro-amerikanin Nuredin Seci, në të cilën njoftohej se PD do t’i paguajë kompanisë amerikane 6 milionë dollarë për dy vite.
Paraprakisht sipas dokumenteve të publikuara, PD ka paguar 750 mijë dollarë parapagim dhe pjesën tjetër do ta shlyejë me 250 mijë dollarë në muaj për një periudhë dy vjeçare.
Garantori i kontratës është Nuredin Seci, një shqiptaro-amerikan me origjinë nga Tropoja, i cili aktualisht jeton në New York dhe ka hobi alpinizmin.
Kontrata e majme është firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe ish-këshilltarit të presidentit Trump, Carlo Trujillo, në cilësinë e Presidentit të ‘Continental Strategy’.
Kjo kontratë publikohet në një kohë kur Sali Berisha gjatë takimeve elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit premton se me ardhjen në pushtet do të luftojë varfërinë e shqiptarëve.
Por kur vjen puna tek lobimi për të zgjidhur hallet personale, Sali Berisha dhe Partia Demokratike firmosin kontrata miliona dollarëshe me kompani në SHBA, burimi i të cilave nuk dihet ende.