Pasojat e stresit në punë, BE humb 100 miliardë euro në vit

Më shumë se 100 miliardë euro në vit. Kjo është kosto vjetore e depresionit të lidhur me punën në Bashkimin Europian, sipas një studimi të publikuar nga Instituti Europian i Sindikatave (ETUI).

Instituti identifikoi pesë rreziqe psikosociale në rrënjë të sëmundjeve mendore:

• stresi në punë
• orët e gjata të punës
• pasiguria në punë
• çekuilibri midis përpjekjes dhe shpërblimit
• problemet morale.

Këto rreziqe mund të kenë pasoja tragjike, sipas të dhënave të disponueshme, të cilat datojnë që nga viti 2015.

“Rreth 6,000 vdekje nga sëmundjet koronare të zemrës i atribuoheshin ekspozimit ndaj rreziqeve psikosociale dhe më shumë se 5,000 vdekje ishin për shkak të vetëvrasjeve të shkaktuara nga depresioni”, shpjegoi Sonia Nawrocka, studiuese në ETUI.

Në të njëjtin vit, më shumë se 400,000 vjet jetë u humbën për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare dhe depresionit, sipas raportit.

“Këto janë vdekje të parandalueshme”, shkruan Dimitra Theodori, drejtuese e shëndetit dhe sigurisë në ETUI.

Sipas institutit, 8% e sëmundjeve kardiovaskulare dhe 23% e rasteve të depresionit i atribuohen këtyre rreziqeve psikosociale.

Punëdhënësit paguajnë për depresionin

Raporti është i pari që përcakton koston ekonomike jo vetëm të depresionit, por edhe të sëmundjeve kardiovaskulare, në veçanti sëmundjeve koronare të zemrës dhe goditjes në tru, të lidhura me faktorët psikosocialë të punës, thotë instituti.

Franca, Belgjika, Finlanda, Irlanda dhe Holanda janë pesë vendet më të prekura për sa i përket kostos për 100,000 punëtorë.

Kjo barrë financiare ndahet nga punëdhënësi dhe punëmarrësi, por ndonjëherë në mënyrë asimetrike.

“Për të dy sëmundjet, zbuluam se barra më e rëndë ra mbi punonjësit, por edhe mbi punëdhënësit. Në veçanti, sa i përket kostos së depresionit, mund të vlerësojmë se më shumë se 80% e kostos totale të depresionit i atribuohej rreziqeve psikosociale në punë në vitin 2015 në Europë”, shpjegoi Sonia Nawrocka.

Kjo kosto u pagua nga punëdhënësit për shkak të mungesës së produktivitetit dhe një uljeje të produktivitetit të shkaktuar nga sëmundja dhe mungesat, shkruan Euronews.

Studimi përmend gjithashtu prezencën në punë, kur punonjësit shkojnë në punë, por performojnë keq për arsye shëndetësore, veçanërisht për shëndetin mendor.

Në dritën e këtyre gjetjeve, Instituti Europian i Sindikatave po i bën thirrje Komisionit Europian të forcojë përpjekjet. ETUI beson se kjo direktivë mbi shëndetin mendor duhet të ofrojë gjithashtu udhëzime për punëdhënësit.

Megjithatë, studiuesit pranojnë se nuk ka një përgjigje të vetme, pasi përpjekjet për të parandaluar këto rreziqe ndryshojnë në varësi të vendit të punës dhe fuqisë punëtore. Megjithatë, grupi i ekspertëve thekson se përfshirja e punëtorëve në proceset e parandalimit mbetet një element thelbësor.