Pasi i largoi nga vendi shqiptarët e kualifikuar, tani kryesocialisti Edi Rama po kërkon prej tyre, që të japin kontribut në rrugën europiane të Shqipërisë.
Kryeministri i vendit, Edi Rama u ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë ambasadorëve të Shqipërisë në vende të ndryshme të botës që të identifikojnë dhe regjistrojnë në mënyrë të plotë komunitetet shqiptare jashtë vendit.
Ai shpreh se është e papranueshme, që një vend i vogël si Shqipëria të mos ketë një regjistër të përditësuar dhe gjithëpërfshirës për shqiptarët që jetojnë dhe shkëlqejnë jashtë kufijve, duke theksuar rëndësinë strategjike të njohjes së kapitalit njerëzor të diasporës.
“Pjesëmarrja e shqiptarëve jashtë atdheut në zgjedhje forcon jo thjeshtë rolin e tyre në aspektin e fuqisë vendimmarrëse në vend, por forcon edhe nivelin e detyrimit tonë për t’u shërbyer dhe për t’u organizuar me ta.
Edhe këtu ka disa arritje të veçanta, suksese apo më saktë pozitive, por në tërësi jemi shumë mbrapa. Jemi një vend i vogël dhe popull i vogël që nuk e kemi luksin të mos kemi as dijeni për burimet tonë njerëzore jashtë vendit, për shqiptarët e shkolluar, profesionistë e jashtëzakonshëm, që ne i kemi në të gjitha vendet e botës.
Dhe minimalisht dijeninë për ta, për ekzistencën e tyre duhet të na e garantojë shërbimi diplomatik. Me këtë dijeni shumëçka tjetër mund të ndërtohet. Por që ne të mos kemi një database që pasurohet dita ditës me profesionistë shqiptarë në territorët e mbarë botës, dhe kur shumë shqiptarë shkëlqejnë dhe bëjnë sukses dhe nuk kanë nevoja materiale ndaj Shqipërisë por do ta mirëprisnin një ftesë të Shqipërisë për të kontribuar, ndërkohë që bota është bërë kaq e ndërlidhur, kur nuk ka më asnjë nevojë për të lëvizur, që aty ku je që të japësh një kontribut, është e papranueshme që ne kemi kaq padituri për një kapital të jashtëzakonshëm që kemi jashtë vendit”, tha ai.
Konferenca “Diplo2025” po zhvillohet në Tiranë me fokus modernizimin e shërbimit diplomatik shqiptar dhe forcimin e lidhjes mes Shqipërisë dhe diasporës.