Për shumë familje shqiptare, festat e fundvitit janë asgjë më shumë se ditët e zakonshme kur duhet të përballen me varfërinë dhe kushtet e vështira të jetesës.
Por e kundërta ndodh në Kryeministri, ku qeveritarët do të shtrojnë një darkë të mirë me milionat e taksave të qytetarëve. Kryeministri Rama ka menduar të organizojë një ceremoni speciale për të ftuarit e tij, ku do të shpenzohen jo pak, por 37 milionë lekë të vjetra të buxhetit të shtetit.
Tenderi i zhvilluar nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare është i ndarë në disa lote, ku secili ka brenda milionat e shqiptarëve që do të shërbejnë për ushqime cilësore, verë të importuar nga jashtë, pije të ngrohta, alkoolike e joalkoolike.
Rama ka menduar që t’i ngrohë të ftuarit përpara ceremonisë me pije të ngrohta si kakao, kapuçino, salep apo çaj, duke shpenzuar 2 milionë lekë për këto pijë.
Më pas vjjnë ushqimet, ku për perimet dhe frutat e freskëta do të shpenzohen 5 milionë lekë, ndërsa për bulmetin janë parashikuar të jepen 8 milionë lekë të vjetra, që qeveritarët të hanë djathë të zgjedhur e produkte të tjera të qumështit, ndërkohë që janë edhe 2 milionë lekë për ushqime të tjera.
Për pijet joalkoolike, si lëngjet e frutave apo pije energjike, do të shpenzohen jo pak, por 10 milionë lekë, ndërsa për pijet alkoolike do të jepen 1 milionë lekë.
Te kjo e fundit nuk përfshihet vera, e cila do të jetë në një lot të veçantë, ku do të shpenzohen 9 milionë lekë që qeveritarët të dehen e të dëfrehen pas një viti të lodhshëm duke zgjidhur hallet e qytetarëve.
Janë 37 milionë lekë në total për një festë fundviti në Kryeministri, që i bën karshillëk problemeve të shqiptarëve dhe familjeve që nuk ia dalin as të mbyllin muajin me bukë.