Në foton më sipër trgohet projekti më i freskët i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili edhe këtë herë kërkon të investojë paratë e qytetarëve në një vend që do t’u shërbejë më të pasurve.
Një kompleks i madh argëtimi dhe sportiv pritet të ndërtohet në Lundër, pranë zonës ku janë rezidencat luksoze të “Rolling Hills”. Magazinat e shtetit shqiptar që duhet të kenë rezerva në raste të mungesës apo krizave të mallrave, si garantor për jetën e qytetarëve, janë bosh dhe zgjidhjen me sa duket e ka menduar Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili kërkon të investojë paratë publike në ndërtimin e kësaj qendre.
Kjo sipërfaqe rezulton të jetë 95,320 metër katrorë truall dhe sipas FSHZH ka pozicion mjaft të favorshëm për veprimtarinë pasi ndodhet pranë aksit rrugor Tiranë-Elbasan.
Sipas fondit zona ku do të bëhet investimi e ka humbur funksionin parësor dhe transformimi i saj është tepër i nevojshëm për ta bërë të aksesueshme nga të gjithë, duke ju shërbyer sidomos zonave të banimit që janë krijuar vitet e fundit aty pranë.
Pra edhe njëherë Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të investojë paratë publike në ndërtimin e këtij kompleksi që shëben për të kompletuar “jetën elegante” të Vip-ave dhe pasanikëve të kësaj lagjeje.
E gjitha konsiston në krijimin e një hapësire argëtuese ku do të shkojnë banorët e zonës por edhe vizitorët nga jashtë.
Sipas raportit të publikuar nga KLSH, ndonëse jo plotësisht si në rastin e inceneratorit të Elbasanit ku disa vendime u morën brenda një ditë, edhe për tjetërsimin e bazës së rezervave të shtetit në Lundër nga ministria e mbrojtjes tek fondi shqiptar i zhvillimit, instucionet e përfshira kanë dhënë përgjigje pozitive po brenda ditës.
Kështu KLSH konstaton se në 6 tetor 2022, ministria e mbrojtjes i ka kërkuar drejtorisë së përgjithshme së rezervave materiale të shtetit prononcim në lidhje më transferimin e këtij aseti publik. Po në këtë ditë kjo drejtori i është drejtuar degës së Tiranës, e cila nga ana e saj po në 6 tetor ka kthyer përgjigje pozitive parimisht. Kontrolli i lartë i shtetit konstaton se institucioneve nuk u është nevojitur kohë për vlerësimit të situatës dhe kthimin e përgjigjes, pavarësisht rëndësisë që kjo vendimmarrje kishte. Vetëm 6 ditë më vonë Drejtori i Përgjithshëm i Rezervave të shtetit ka ri-cilësuar përgjigjen dhe se shprehet “parimisht dakord” për transferimin e pronës pranë Fondit shqiptar të zhvillimit, por me kusht që ky i fundit të ndërtojë hapësira magazinuese si dhe zyrat ku do të zhvillohet aktiviteti administrativ i brenda ambienteve ku aktualisht ndodhet Agjencia Lundër.
“Deri më datën 12.05.2023 Ministria e Mbrojtjes, DPRMSH dhe DRRMSH-Tiranë nuk disponojnë një projekt të dakordësuar me FSHZH dhe nuk janë lidhur akt-marrëveshje për plotësimin e nevojave të rezervës materiale të shtetit. Nuk ka gjithashtu një plan të miratuar për transferimin e aktivitetit te rezervës materiale në Lundër. Referuar shkresës së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë lidhur me mendimin për projektvendimin e propozuar, trajtohet se kjo pronë është pjesë e listës së pronave për të cilat nga ana e Ministria e Mbrojtjes është shprehur dakordësia për vijim e procedurave të privatizimit por shkresa citon se, nga ana e MFE nuk është miratuar fillimi i këtyre procedurave. Për sa më sipër, Agjencia Lundër, e cila me një sipërfaqe truall prej 95,320 m2 dhe pozicionim mjaft të mirë, është parashikuar edhe më parë për tu privatizuar pavarësisht se ajo zë peshën kryesore në magazinimin e mallrave ushqimorë rezervë materiale e shtetit në rang kombëtar, çka tregon një qasje të paqartë të hallkave institucionale në drejtim të zhvillimit të aktivitetit të rezervës materiale në tërësi.”, shkruhet në raport.

Pra në vend që ministria e Mbrojtjes të shqetësohet që magazinat e shtetit janë bosh, çka do të sillte probleme të mëdha në raste katastrofash, siç u vu re kur ra tërmeti i 2019, ia jep ato Fondit të Zhvillimit.
Ky i fundit nuk është hera e parë që mendon për projektet në zonat e luksit. Kujtojmë se dy vite më parë investoi paratë publike në ndërtimin e një piste helikopterësh, një moli jahtesh dhe shërbimesh të tjera mbështetëse pranë resortit luksoz “Green Coast” në Palasë, ndërkohë që institucionet shtetërorë bënë një sy qorr ndaj dëmtimit të monumenteve të natyrës.