Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit tha se Partia Demokratike do të marrë në zgjedhjet e vitit 2025 aq mandate sa në zgjedhjet e vitit 1997.
Në deklaratën nga selia blu, Bylykbashi tha se i kanë marrë shumë seriozisht fjalët e Ramës, teksa shtoi se kjo deklaratë e kryeministrit është treguesi se ai ka në mend vetëm forcën dhe bandat për të shkatërruar zgjedhjet dhe mposhtur opozitën.
Ai paralajmëroi se për të shmangur skenarët e vitit 1997, duhet të lirohet Sali Berisha, të ketë qeveri teknike dhe të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme.
“Kjo deklaratë e Ramës, pasi ka burgosur liderin e Partisë Demokratike, është treguesi se ai ka në mend vetëm forcën dhe bandat për të shkatërruar zgjedhjet dhe mposhtur opozitën.
Partia Demokratike e merr shumë seriozisht këtë premtim të Edi Ramës për të rikthyer standardin e 1997 në zgjedhje. Partia Demokratike do t’i përgjigjet fort, në mënyrë të plotë dhe proporcionale dhe me çdo mjet legjitim, skenarit të Edi Ramës.
Edi Rama, çdo vegël e tij, çdo patronazhist, çdo institucion i shtetit, përfshirë gjoja të pavarurit, do të mbajnë përgjegjësi të plotë nëse angazhohen apo i hapin rrugë këtij skenari. Edhe njëherë, që të shmangen skenarët e ’97-ës, Partia Demokratike kërkon lirimin e Sali Berishës, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme!”- u shpreh Bylykbashi ndër të tjera.