Pasi kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ajo italiane Giorgia Meloni firmosën në nëntor të vitit të kaluar marrëveshjen për emigrantët, kanë nisur punimet për ngritjen e kampit të refugjatëve në Gjadër.
Punimet janë në fazën e parë, ku po punohet fillimisht me shtrimin e rrugës nga Kakarriqi drejt Gjadrit. Po ashtu po punohet dhe brenda kampit ku do të stresohen dhe refugjatët.
Ndërkohë banorët e zonës nuk e dinë ende se çfarë do të ndodhë. Pavarësisht se janë interesuar, ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga drejtuesit e punimeve.
Banorët po ashtu shprehen se janë të frikësuar, pasi janë të sigurt mbi kontrollin që do të ketë mbi personat që do të sillen aty.
“Për mua është një vendim i keq. Edhe bota na ka ndihmuar, por nuk kemi ne fuqi të ndihmojmë të tjerët. Varet sa disiplinë do arrijnë të mbajnë e të mos i lënë të dalin nga kampi”, thotë një prej tyre.
“Punimet kanë nisur ka katër ditë. Po punojnë ekskavatorë e fadromë. Ç’na duhen ne ata? Ne fëmijët tanë i kemi jashtë vendit. Shkuan të jetojnë atje për më mirë, tani të na vijnë ata. Këta që kanë shtëpitë këtu janë të frikësuar. Kanë ardhur inxhinierë italianë, më shumë janë të huaj”, deklaron një tjetër.
Rikujtojmë se Italia do të ndërtojë dy qendra të menaxhimit të emigranteve në Shqipëri, të cilat kur të jenë plotësisht funksionale, do të jenë në gjendje të menaxhojnë rreth 36 mijë persona në vit.
Megjithatë duhet të theksojmë se kjo marrëveshje, u kundërshtua edhe nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Amnesty International e ka konsideruar paktin Rama-Meloni, si të dëmshëm dhe të paligjshëm.
Po ashtu organizata prestigjioze ndërkombëtare Human Rights Ëatch tha se marrëveshja në fakt shkel ligjin ndërkombëtar, i cili është i detyrueshëm për Shqipërinë dhe, në hierarkinë e ligjeve, qëndron më lartë se sa Kushtetuta e Shqipërisë.