Pajisja e kancerit të lëkurës s’u montua siç duhet dhe u bë rrezik për pacientët! Zbardhet skema e mashtrimit të mjekëve në QSUT

Prokuroria e Tiranës ka zbardhur skenën abuzive, në të cilin ishin përfshirë mjekë dhe specialist të Onkologjikut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Mësohet se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, pasi në vend që të jepnin shërbim për pacientë me sëmundje tumorale, bënin të kundërtën, duke i orientuar ata drejt spitaleve private më qëllim përfitimin ekonomik.

Në kuadër të këtij hetimi, janë arritur të gjenden prova të rasteve të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci, të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave. E përfshirë ka qenë dhe zv. Drejtoresha e QSUT, e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore, të ndjekura nga prokurori Bledar Valikaj, rezultoi se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.

Që të përdoret Kobalto Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjensia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike.

Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar, por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vetë personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje.

Prokuroria njofton se gjatë këtij hetimi ka pasur përgjime telefonike, vëzhgime në terren, por edhe blerje të simuluara.

Kujtojmë se Gjykata ka vendosur në arrest shtëpie mjekun Edmond Gashi, 44 vjeç, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, Florian Marku i cili akuzohet se kontrabandonte ilaçet. Gjithashtu është vendosur detyrim paraqitje për mjeken Alketa Ymeri(Pere) , Emiljano Lela (Koordinator prane Spitalit Onkologjik ne QSUNT), Brikena Qirjazi (Zv/Drejtoreshe ne QSUNT e ngarkuar me detyra për   shërbimin onkologjik), Halil Gashi me akuzën e fshehjes së të ardhurave, si dhe Drilona Kishta, e cila rezulton jashtë vendit.