Operacioni për trafikun e armëve/ Një pistoletë shitej deri në 2500 euro, grupi kishte bazë në Burrel

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me grupin që trafikonte armë nga Kosova drejt Shqipërisë. Burime për mediat bëjnë me dije se grupi kriminal i trafikut të armëve ka një bazë në Burrel, për të cilën vijojnë kërkimet. 

Ndërkohë armët, 14 prej të cilave u sekuestruan nga blutë shiteshin në disa qytete, përfshirë Tiranën, Shkodrën dhe me gjerë me 1500-2500 euro copë. Njëra prej tyre, me silenciator, do të shitej të paktën 3000 euro.

Ndërkohë armët do të ekspertohen në laborator nëse janë përdorur më herët në krime të tjera.

Policia njoftoi për arrestimin e 10 personave ndërsa dy të tjerë janë ende në kërkim.

Të arrestuarit janë: Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj, Adriano Shehu. Më herët në muajin prill në prangat e policisë përfunduan Altin Pajaziti dhe Kadri Prushi.

Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 14 armë zjarri (12 pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 automatikë), 2077 fara cannabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë.