Ditën e hënë do të mbahet një tjetër protestë para Ministrisë së Arsimit, pas ngjarjes së rëndë të regjistruar pak ditë më parë ku një nxënës i shkollës “Fan Noli” u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij.
Prindër të shumtë janë mbledhur këtë të shtunë pranë shkollës “Fan Noli”, bashkë me përfaqësues të Qëndresës Qytetare ku edhe njoftuan protestën, bashkë me disa kërkesa për Ministrinë e Arsimit, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu.
Kjo do të jetë protesta e dytë brenda pak ditëve, pas vrasjes së 14 vjeçarit Martin Cani, ngjarje që tronditi të gjithë opinionin publik. Protesta ditën e hënë do të mbahet në orën 17:00 para Ministrisë së Arsimit, ndërsa organizatorët bën thirrjë që qytetarët t’i bashkon.
14 vjeçari Martin Cani u vra me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij pak metra larg derës së shkollës “Fan Noli” ndërsa shoku i tij mbeti i plagosur. I plagosur mbeti edhe autori, 14 vjeçari Mario Perlleshi, i cili ndodhet në një spital privat duke u kuruar.
Kërkesat:
-Shtimi i buxhetit në 5% të PBB
-Plotësimi i shkollave me infrastrukturë dhe staf mbështetës
-Rritja dhe plotësimi 100% i shkollave me psikologë, raporti 1 psikolog për çdo 200 nxënës
-Qëndrimi nxënësve në shkollë deri në 16:00, duke ofruar ushqim dhe mundësi për të bërë detyrat
-Zbatimi emergjent i rregullit për heqjen e telefonave në orën e mësimit
-Miratimi i legjislacionit për vendosjen e filtrave parandalues të përmbajtjeve me gjuhë urrejtje për fëmijët nën moshën 14 vjeç
-Krijimi i një sistemi të raportimit të rasteve ku të ndërlidhen të gjitha hallkat
-Çdo shkollë duhet të ketë oficerin e sigurisë
-Dorëheqje e menjëhershme e ministres së Arsimit.