Pas përjashtimit nga Kuvendi për 10 ditë kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka folur sot për Neës24 ku ka komentuar situatën e sotme në Kuvend.
Deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe seancën plenare pasi sipas tyre mazhoranca u ka hequr të drejtën për të marrë pjesë në vendimmarje në ccdo temë që diskutohet dhe nuk merr në konsideratë komisionet hetimore që ata kërkojnë.
Bardhi u shpreh se nuk e njeh aspak vendimin e përjashtimit nga Kuvendi, që është shkelje e rregullores, pasi deputetët e PD nuk kanë thyer asnjë rregull.
“Së pari nuk ka asnjë thyerje të rregullores nga asnjë prej deputetëve të opozitës. Ata që kanë thyer rregullat dhe kanë shkelur Kushtetutën janë deputetët e PS-së. Ata i kanë mohuar të drejtën opozitës të përfaqësohet me atë që dëshiron në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe ka refuzuar 3 kërkesa për Komision Hetimor pa na lënë as të flasim.
U refuzua kërkesa dhe nuk na është dhënë e drejta e fjalës për të sqaruar nevojën për ngritjen e këtyre komisioneve hetimore.
Nuk njohim asnjë vendim përjashtimi që është në shkelje flagrante të rregullores, kjo shton autokracinë e Kuvendit. Kemi 2 muaj që mazhoranca krijon truk pas truku për të penguar opozitën. Edhe sot ka patur provokime për të kaluar në përleshje fizike, por nuk duam që Kuvendi të kthehet në arenë përplasjesh fizike. Ne jemi duke kërkuar të drejtat tona. Ato nuk varen nga humori i mëngjesit as i Ramës, Nikollës, Ballës apo askujt”, u shpreh ai.