“Nuk lejoj të flasë ushtari i Suel Çelës”, debate në Konferencën e Kryetarëve, mbledhja mbyllet mes tensionesh

Konferenca e Kryetarëve është shoqëruar me debate mes kryeparlamentares Elisa Spiropali dhe kreut të grupit të PD, Gazment Bardhi. Ky i fundit akuzoi socialistët se po e trajtojnë Kuvendin si pronë private.

“E keni kthyer Kuvendin në pronë private. Keni organizuar një seancë turpi, pa çështje jashtë rendit të ditës, duke mos respektuar rregulloren,” tha Bardhi. Por debatet vijuan edhe më tej.

Në një moment, Bardhi iu drejtua me ironi Spiropalit, duke thënë se ajo rrezikon të zëvendësohet nga “Zegjine Balluku”, duke iu referuar fitores së kandidates Zegjine Çaushi në qarkun e Fierit.

Bardhi pati nje debat edhe Taulant Ballën, për të cilin tha se s’do të lejojë të flasë ‘ushtari i Suel Çelës’.

Pjesë nga diskutimi:

Gazment BardhiKush e caktin se çfarë bëhet në Konferencën e kryetarëve dhe në Kuvend. Partnerët tuaj Suel Çela apo Troplinit e Durrësit. Zonjë duhet të sqarosh ato çfarë unë ngre këtu. Nuk lejoj të flasë ushtari i Suel Çelës. Dhe ti zonjë mos mu sill sikur ke ardhur nga Suedia, por ke ardh nga strofulla e Xhabaftëve. U kërcënuan fëmijët e kolegët e tu dhe ti kryetare e kuvendit shkove more në mbrojtje Xhabaftët.

Elisa Spiropali: Ma jep të drejtën rregullorja të përcaktoj rendin e ditës.

Gazment Bardhi: Nuk do të jesh më këtu, do të zëvendësohesh nga Zegjine Balluku.

Pas tensioneve mbledhja u mbyll pa miratimin e pikave të parashikuara të rendit të ditës, të cilat do t’i kalojnë për votim seancës plenare të Kuvendit.