Nuk ka Rusi pa Putinin: Kulti i një Cari të kohëve moderne

Nga Marc Bennetts “The Times”

Pasi presidenti Putin kaloi nëpër dyert e praruara të Kremlinit në ceremoninë vezulluese të inaugurimit të tij në Moskë ditën e martë, ai u takua me anëtarë besnikë të elitës politike dhe fetare, që e portretizojnë atë si mishërimin e gjallë të Rusisë së sotme.

Që nga koha e tiranit sovjetik Josif Stalin, asnjë udhëheqës tjetër në Moskë, nuk ka krijuar një kult personaliteti kaq të fuqishëm sa presidenti aktual. Një Car i kohëve tona, Putin e sundon Rusinë prej 24 vjetësh dhe nuk po tregon shenja të dorëzimit të pushtetit, të paktën jo vullnetarisht.

Kryetari i parlamentit rus, Vjaçesllav Volodin, ka thënë:”Nëse ka Putin, ka edhe Rusi. Nëse s’ka Putin, nuk ka as Rusi!”. Patriarku Kirill, kreu i Kishës Ortodokse Ruse, një aleat kyç i Kremlinit, e ka cilësuar sundimin e Putinit si një “mrekulli të Zotit”, dhe e ka përshkruar pushtimin e Ukrainës si një luftë të shenjtë kundër forcave “satanike”.

Putin e shfrytëzoi ceremoninë e fillimit të mandati të ri për të deklaruar se “kombi i tij i bashkuar dhe i madh, do t’i kapërcejë të gjitha pengesat”, dhe kjo menjëherë pasi e veja e Aleksei Navalnit, liderit të ndjerë të opozitës, e cilësoi atë si “gënjeshtar, hajdut dhe vrasës”.

Pas sigurimit të një mandati të ri 6-vjeçar në zgjedhjet presidenciale të marsit, ai do t’ia kalojë Stalinit si sundimtari më jetëgjatë i Rusisë që nga koha e Katerinës së Madhe. Sipas kushtetutës së Rusisë, e cila u ndryshua në vitin 2020 për të zgjatur kufijtë e mandatit të tij, ai mund të qëndrojë president të paktën deri në majin e vitit 2036, kur do të jetë 83 vjeç.

Me rikthimin e tij në presidencë në vitin 2012, pas 4 vitesh si kryeministër, Putin nisi ta mendonte veten si të domosdoshëm, thotë Fiona Hill, ish-eksperte e Shtëpisë së Bardhë për Rusinë. “Ai nuk mund ta imagjinojë veten askund larg fronit presidencial. Dhe as njerëzit e tjerë rreth tij, nuk mund të imagjinojnë dikë tjetër në atë pozicion”- thekson ajo.

Pas vdekjes – ose vrasjes së supozuar – të liderit të opozitës Navalni, në një burg të sigurisë së lartë në Arktik, dhe rrëzimit të avionit që vrau Jevgeni Prigozhin, liderin e grupit mercenar Vagner, që nisi një rebelim të armatosur kundër Moskës vitin e kaluar, pushteti i Putin ka pak rreziqe apo kërcënime të dukshme.

Në Ukrainë, ushtria e tij po bën përparime të qëndrueshme, pasi një mosmarrëveshje e gjatë në Kongresin e SHBA-së mbi ndihmën ushtarake për Kievin, i dha epërsi Moskës në fushën e betejës. Besimi i Putinit ka të ngjarë të rritet akoma më shumë, nëse në nëntor Donald Trump zgjidhet sërish president i SHBA-së.

“Edhe Trumpit i pëlqen të sillet si një udhëheqës i fortë. Dhe mund të ndodhë, që Putin të ketë përballë një Amerikë që i ngjan më shumë vendeve të tjera me të cilat ai ka marrëdhënie të ngushta:Kina, Hungaria dhe Turqia. Për të, do të ishte një përshtatje shumë më e mirë”- shprehet Hill, që dikur e këshilloi administratën Trump, por më pas dëshmoi në seancat dëgjimore të fajësimit të ish-presidentit.

Hill thekson se gjatë kohës që ishte president, Trump besonte se Rusia dhe Ukraina ishin në thelb i njëjti vend, sepse shumë ukrainas flisnin rusishten si gjuhë të parë. “Kur Putin thoshte se Ukraina nuk është një vend i vërtetë, Trump ishte i prirur të binte dakord me të. Unë u përpoqa t’i shpjegoj se Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e Anglisë. As Kanadaja,  Australia, Zelanda e Re apo vende të tjera anglishtfolëse. Por nuk donte ta kuptonte. Thoshte:E cili është ndryshimi midis tyre? Ata flasin të gjithë flasin rusisht”.

Rrugëtimi i jetës së Putinit ka qenë i gjatë dhe i dhunshëm. Ai e ka çuar nga një banesë plot lagështirë në Leningradin e pasluftës deri në Kremlin, ku komandon numrin më të madh armëve bërthamore në botë. Edhe pse është e zakonshme që marrëdhëniet aktuale midis Rusisë dhe Perëndimit të cilësohen si në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë, disa historianë thonë se gjërat nuk kanë qenë kurrë kaq të këqija.

“Unë mendoj se situata është shumë e keqe e sa gjatë Luftës së Ftohtë. Atëherë kishte shumë ndërveprim diplomatik, dhe një mirëkuptim nga të dy palët se çfarë mund të bëjë ose jo tjetri. Edhe kanalet e pasme funksiononin shumë mirë. Kishte vërtet spiunazh, por asnjë përpjekje për të dëmtuar diplomatët e vendit tjetër. Dhe të dyja palët kishin një vizion gjithëpërfshirës:shmangien e Luftës së Tretë Botërore. Unë nuk e di se sa nga ky vizion ekziston ende sot”-thotë Sergej Radçenko, një historian i shquar mbi atë epokë dhe autor i librit “Të udhëheqësh botën:Oferta e Kremlinit për Luftën e Ftohtë dhe fuqinë globale”.

Një hetim pretendoi muajin e kaluar, se agjentët e Kremlinit kishin shënjestruar diplomatët amerikanë dhe zyrtarët e inteligjencës me armë të energjisë zanore, të cilat shkaktojnë të vjella dhe humbje dëgjimi, ndër shumë simptoma të tjera. Ndërkaq, ka shqetësime edhe mbi gjendjen mendore të Putinit.

Presidenti ukrainas Zelenski e quajti së fundmi Rusinë një vend “ku mbretëron marrëzia”. Ndërsa Maria Pevçik, drejtuese e fondacionit kundër korrupsionit FBK, themeluar nga i ndjeri Navalni e ka përshkruar Putinin si “një psikopat me shumë burime në dispozicion”.

Gleb Pavlovski, i cili këshilloi Kremlinin nga vitet 1990 deri në vitin 2011, deklaroi për The Sunday Times në fillim të luftës në Ukrainë, se nuk e njihte më Putinin e sotëm në raport me atë që kishte njohur dikur. “Ai nuk e kishte këtë mani për Ukrainën, të paktën jo në këtë shkallë, gjatë dy mandateve të tij të para presidenciale”- tha ai.

Putini e kaloi pjesën më të madhe të pandemisë së Covid-19 në rezidencën e tij Novo-Ogarjovo afër Moskës, ku kontaktet e tij të pakta të rregullta, përbëheshin kryesisht nga miqtë e linjës së ashpër nga rrethi i tij i brendshëm si Nikollai Patrushev, shefi i Këshillit të plotfuqishëm të Sigurisë Kombëtare të Rusisë.

Patrushev, një ish-operativ i KGB-së, i cili e njeh Putinin prej dekadash, është i njohur për besimin e tij tek teoritë konspirative. Për shembull, vitin e kaluar ai pretendoi se Shtetet e Bashkuara po synonin ta pushtonin Rusinë, pasi donte të zhvendoste qytetarët e saj në Siberi pas shpërthimit të një supervullkani në Parkun Jellousoun, që do ta bënte të pabanueshme gjithë Amerikën e Veriut.

Po ashtu, besohet se ia ka qenë një nga të paktët zyrtarë rusë, që e ka ditur paraprakisht vendimin për të nisur një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës. Nikolai Petrov, një analist në thinj-tankun britanik Chatham House, thotë se Patrushev ka shumë të ngjarë të ushqejë idetë e Putinit nga pjesëtarët e linjës së ashpër në gardën e vjetër në shërbimet sekrete.

“Ai kontrollon një kanal të rëndësishëm të lidhjes së Putinit me botën e jashtme”- u shpreh ai për Novaya Gazeta Europe, një uebsajt i opozitës ruse në mërgim. Mungesa e mëshirës së Putinit kur përballet me armiqtë e tij, mendohet se i buron pjesërisht nga frika se jeta e tij mund të rrezikohet nëse detyrohet të largohet nga pushteti.

Thuhet se ai u tmerrua kur mësoi fatin e tmerrshëm të kolonel Gadafit, diktatorit libian që u vra nga njerëzit e tij në vitin 2011. Vdekja e Gadafit nga forcat rebele pas ndërhyrjes së Perëndimit në Libi, ndodhi disa muaj përpara se në Moskë të shpërthenin protestat të mëdha për shkak të akuzave për manipulimin e zgjedhjeve.

Ato mbeten deri më sot një nga kërcënimet më të mëdha për sundimin e Putinit. “Pas asaj që ndodhi me Gadafin, Putin filloi të pyeste veten mbi sigurinë e tij”- shprehet Hill. Edhe pse Rusia nuk është një shtet komunist dhe Putini është më i joshur nga tundimet e kapitalizmit sesa veprat e Karl Marksit dhe Vladimir Leninit, sundimi i tij ka rikthyer  represionin politik të stilit sovjetik dhe kontrollin e rreptë shtetëror mbi mediat.

Në dallim nga shumë bashkëmoshatarë të tij, Putin nuk i përjetoi reformat demokratike dramatike që përfshinë Bashkimin Sovjetik në fund të viteve 1980 nën Mikail Gorbaçovin. Ndërsa po zbatoheshin politikat e tij të Glasnostit (hapjes) dhe Perestrojkës (reformave politike dhe ekonomike), nisën të qarkullojnë libra dhe filma dikur të ndaluar.

Vetë televizioni shtetëror sovjetik, transmetonte një shfaqje satirike ku ngrihej pyetja:”A ishte Lenini një kërpudhë?”, si dhe seanca psikoterapeutike të çuditshme. Në atë kohë Putin jetonte në Drezden të Gjermanisë Lindore, një shtet komunist i linjës së ashpër që ishte shumë armiqësor ndaj ndryshimeve që po ndodhin në Moskë.

Banorët e shumicës së qyteteve të Gjermanisë Lindore, mund të ndiqnin transmetimet televizive perëndimore, por jo në Drezden, që për këtë arsye iu vendos nofka “lugina e të paditurve”. Në udhëtimet e tij në atdheun që po ndryshonte me shpejtësi, Putini do të kujtonte më vonë, se e kishte shumë të vështirë të “mësohej me realitetin”.

Presidenca e tij, ka qenë ndoshta një përpjekje e gjatë për të ndryshuar realitetin në një formë që i pëlqen më shumë, pavarësisht nga pasojat për Rusinë, Ukrainën dhe botën.