Zegjine Çaushi nuk do të jetë pjesë e Parlamentit të ardhshëm. Rinumërimi i votave të qarkut të Fierit ka nxjerrë një tjetër rezultat të votave preferenciale, ku Zegjineja e njohur për shprehjen “O Gazo”, ka humbur përballë kandidates tjetër socialiste.
Maldrita Bardho do të jetë deputetja e 12-të e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, pasi gjatë rinumërimit iu gjetën 26 vota më shumë se rezultati i numërimit të parë, teksa edhe humbja e 48 votave nga Zegjine Çaushi i ka dhënë avantazhin në fund.
Kështu, për Zegjinenë nuk ka më “gaz” në fund të rinumërimit, që kishte nisur edhe “shkollën verore”, atë të Akademisë Politike të PS-së, por që tashmë do detyrohet t’i lërë studimet në mes.
Ky proces në qarkun e Fierit, ndryshe nga Tirana, tregoi për manipulimin e madh të votave preferenciale të kandidatëve, që solli edhe ndryshim mandatesh brenda Partisë Socialiste.
Tashmë do të jetë SPAK që pritet të nisë hetimet për tjetërsimin e votave gjatë numërimit, teksa numëruesit që janë të përfshirë do të duhet të dalin para drejtësisë për veprat penale që kanë kryer.
Kujtojmë se në Fier, Ceno Klosi i Partisë Socialiste kishte marrë qindra vota më tepër gjatë numërimit të parë, ndërkohë që Klevis Jahajt iu hoqën qindra vota.