Postimi i gazetarit amerikan Marc Caputo se Sali Berisha mund të udhëtojë drejt SHBA-ve, pasi kishte pyetur Departamentin Amerikan të Shtetit, ndezi në Shqipëri një debat të fortë nëse “non grata” e kreut të PD-së ka rënë apo jo.
“E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA”, shkruan ai, teksa publikon edhe përgjigjen që ka marrë nga DASH.
“”Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin drejt SHBA-së të individëve të caktuar, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Prandaj, nuk do të lejojmë që interesat tona në politikën e jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës Biden”, shkruhej në përgjigjen e DASH, ku duket qartë që “non grata” nuk ka rënë, por që DASH mund të bëjë disa përjashtime, sidomos për vendimet e administratës Biden, shumicën e të cilave i konsideron rë politizuara.
Pas këtij lajmi ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Rama, që thotë se fillimisht e besoi që Berishës iu hoq “damka”, por më pas kuptoi se ishte një tjetër tallje.
“Thashë se ia hoqën vërtetë damkën të shpëtonte Shqipëria nga një turp i pashembullt, po aha, hiç, qenkej një tjetër nga ato talljet e Bufit me lukuninë e Kënetës, ku mbetet gjithnjë i palëkundur besimi se po e tha Bufi fluturon edhe gomari…
Trushpëlarje aq shembullore u ka bërë në tërë këto vite të shkretëve, sa që edhe kur Bufi i rrjedhur përçartet rrugëve, Këneta sheh ëndrra madhështore me rrugë qumështi dhe mëndafshi, ku oqeani bëhet kos dhe kapelja trampiste e Bufit shumëfishohet në miliona tenxhere floriri me mbishkrimin USA”, shkruan kryeministri.