Një viktimë dhe dy të plagosur në burgun e Peqinit, Drejtoria e Burgjeve: Sokol Mjacaj qëlloi me armë dy të dënuar të tjerë

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka sqaruar situatën në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit, ku ka mbetur një viktimë dhe dy persona janë plagosur.

Sipas njoftimit të Drejtorisë, nga konflikti mes të dënuarve kanë mbetur të plagosur rëndë dy prej tyre, ndërsa një tjetër ka ndërruar jetë. Ai është Arben Lleshi. Në njoftim thuhet edhe se nuk ka asnjë gardian apo staf policor të lënduar.

Sokol Mjacaj thuhet se ka marrë armën dhe i ka qëlluar nga zona e ajrimit. Dyshohet se arma mund të jetë futur me dron në burg.

Sokol Mjacaj ka qëlluar me armë drejt Arben Lleshit, Ilir Xhakjas dhe Indrit Shaqjas. Të gjithë këta persona konsideroheshin si persona me rrezikshmëri shumë të lartë.

Sot ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se Mjacaj cënoi sigurinë e burgut dhe është futur në izolim 41 Biz. Ngjarja ka ndodhur në zonën e ajrimit të burgut të sigurisë së lartë në Peqin.

Sokol Mjacaj po vuan dënimin me burgim të përjetshëm pas vrasjes së dy turistëve çekë në Shkodër. Që adoleshent ai ka qenë problematik pasi kur ishte ende i mitur së bashku me shokë të tjerë vranë një bashkëmoshatar për t’i marrë një varëse floriri. Pas burgosjes familja e braktisi dhe kur ai doli nga burgu, ata i mbyllën derën. Mjacaj më pas jetonte duke vjedhur derisa një ditë vrau dy turistët 27 dhe 36 vjeç, të cilëve deshi t’u grabiste makinën. Pas kësaj ngjarje ai u dënua me burgim të përjetshëm. Ndonëse e apeloi vendimin duke kërkuar gjykim të shkurtuar, gjykata nuk pranoi kërkesën e tij.