Një ditë para nisjes së Kuvendit, PS dhe PD do të mbledhin nesër grupet parlamentare

Një ditë përpara nisjes së Kuvendit të ri, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do të mbledhin grupet parlamentare.

Mësohet se pas përfundimit të mbledhjes me Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku Rama do të shpallë qeverinë e re, kryesocialisti do të mbledh nesër grupin parlamentar.

Burime për mediat bëjnë me dije se mbledhja në fjalë është parashikuar të mbahet rreth orës 13:00 ku pritet të mësohet se kush do të jetë kreu i ri i këtij grupi.

Ndërkohë në po të njëjtën orë, edhe PD do të mbledh nesër grupin parlamentar.

“Përshëndetje miq. Nesër ne ora 13:00 zhvillojmë mbledhjen e parë të grupit parlamentar në selinë e Partisë Demokratike. Ju lutem merrni masa për pjesëmarrje”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë të premten do të nisë nga puna Legjislatura e re, ku Vasil Llajo, deputet i Partisë Socialiste do të drejtojë seancën e parë të Kuvendit pasi dy deputetët më të moshuar se ai, Sali Berisha dhe Tritan Shehu të Partisë Demokratike, refuzuan ta bëjnë këtë.

Të premten do të betohen 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 11 Majit dhe pritet të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit.