Col Mehmeti*
Ngjarjet e fundme në Izrael e zbuluan lakuriq imazhin e stisur prej viktime për arabët palestinezë. Njësoj si ato produktet e këqija e mashtruese që vijnë me porosi me postë online, brenda paketës palestineze, të ormisur me kordele, kruspullohet një falsitet i disafishtë. Sepse ka viktima dhe viktima. Paradoksi këtu është vetëm në formë, por jo edhe në përmbajtje.
Një batare prej mbi pesë mijë raketash iraniane që flakërijnë natën e ditën mbi caqe civile flet për arsenale të frikshme që i tejkalojnë madje edhe ato të një shteti mesatar të NATO-s. Një kurbë viktimash izraelite që ngritët e ngritët or’ e çast është e kundërta e stereotipave me të cilat opinioni shqiptar helmatiset thuajse prej viteve ‘50 të shekullit të kaluar.
Muajt e kaluar, Izraeli, si asnjëherë më parë, u tregua mirëdashës duke lehtësuar qarkullimin e punëtorëve nga Gaza, ashtu sikurse lejoi edhe një ndihmë financiare të Katarit për Gazën. Dukej, së paku, një paqe e pabesueshme me ujqër e çakaj lufte.
Por, Hamasi është i krijuar për të mos u shërbyer me nocione si armëpushimi apo paqja sa kohë që demoni xhihadist është frymëzim i epërm për një shoqëri të tërë bigote.
Koncepte të tilla si paqtimi — siç e thotë me të drejtë edhe editorialisti Yaron Friedman — nuk ekzistojnë për hamasianët, por vetëm «hodna» që nënkupton një organizim a përgatitje për raundin tjetër të sulmit gjakatar.
Reporteri i Guardianit, Peter Beaumon ka fort të drejtë kur parashikon që Hamasi nuk ka gjasa ta mbajë edhe gjatë kohë inkursionin e vet brenda Izraelit, dhe ky i fundit do t’i fshikullojë me goditje vdekatarë strofujt hamasianë.
Shpesh lufta i tejkalon logbetejat në terren dhe dimensionet thjeshtësisht teknike; ajo shndërrohet sakaqherë në luftë e rravgim për simbolikën dhe vetëm për simbolikën. Në rrethanat e një bote pas të vërtete (post-truth), ngjarjet e fundit, fatkeqësisht, do të lexohen si fitore e bëshme e Hamasit dhe humbje e Izraelit, paçka se ky i fundit me shumë gjasë do ta zhbijë kundërshtarin.
Në gjysmën e dytë të vitit 1912, Medi bej Frashëri ynë u emërua si mytesarif i Jerusalemit. Ishte një kohë, agu i shekullit të njëzet, kur hebrenjtë e viseve të andejanshme po organizoheshin në ngulime, teksa po gëzonin një përkrahje dashamire edhe tek qeveria perandorake në Stamboll.
Frashëri, qysh në fillim të ofiqit të tij si mytesarif, propozoi ngritjen e një ngulimi hebrenjsh në Ramallah ashtu që të lidhej Jerusalemi me Jafën, dhe me po atë harxh të formohej një këshill komunal, me xhandarë lokalë për mbrojtje, si dhe një vijë telegrafike që «në rast të ndonjë sulmi të thërrisnin shumë shpejt qeverinë (osmane) për ndihmë» (shih për më gjerësisht librin e Muhamet Mufakut Figura shqiptare në Lindjen e Mesme: Shekujt XVI-XX, Logos A, 2021, ff.93-112).
Ditët “palestineze” të Mehdi Frashërit si guvernator i Jerusalemit janë interesante për një dorë arsyesh. Ai aty afërmendsh që ishte si përfaqësues osman e jo si shqiptar. Megjithatë, atituda e tij në mbështetje të hebrenjve reflektonte jo vetëm një qasje të re në Perandorinë Osmane, porse edhe mirëkuptimin perëndimor ndaj një çështje aq rëndësore që po trokiste për zgjidhje.
Kjo përvojë e vlefshme njohëse ishte arsyeja pse Lidhja e Kombeve, më 1937, e ftoi Mehdiun në një nga sesionet e saj ku u diskutua çështja arabo-hebreje (ishte kjo koha kur i ashtuquajturi Peel Commission pati shestuar prospektet e një shtetësie hebreje dhe një arabe në tokat e administruara prej Lidhjes së Kombeve).
Asokohe, Mehdiu u paraqit më neutral, duke e shpërmiratuar planin për krijimin e dy shteteve në Palestinë (kushedi këtu duhet të ketë ndikuar sa pozicioni i hajthëm i Shqipërisë së asohershme, e kushedi mbase edhe gjermanofilia e tij!?).
Mehdiu më tepër e favorizonte një model alla-zviceran të kantonalizimit të Jerusalemit dhe gjithë rrethepërqarkut, ku do të kishte një kanton hebre, një tjetër arab si dhe një administrim ndërkombëtar për hapësirat sakrale në Jerusalem.
Por sot është një botë kryekreje tjetër dhe Izraeli ekziston, madje është aleat që ipso facto e fuqizon çdo kombinatorikë gjeopolitike të shqiptarëve. Përkundrazi, pala tjetër «viktimë» është ajo që çon përfaqësues e ambasadorë fiktivë në Beograd dhe mbron zelltarisht pozicionin serb.
*Autori është studiues i historisë klasike, gazetar dhe përkthyes nga Prishtina.