Nisi si një ligj i përkohshëm, por investimet strategjike shtyhen edhe me një vit

Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar disa nga ndryshimet e propozuara nga deputeti i PS Eduard Shalsi lidhur me shtyrjen e ligjit për investimet strategjike.

Ndërsa Shalsi kishte propozuar shtyrjen e këtij ligji deri në vitin 2027, Komisioni Parlamentar i Ligjeve vendosi të henën që afati i ligjit për investimet strategjike të shtyhet deri në 31 dhjetor 2024.

“Një grup deputetësh sugjeruan dhe miratuan që të mbetemi te propozimi im, por me një ndryshim që të mbahet ndryshimi i afatit në fund të 2024 dhe jo në fund të 2027 me sugjerimin që të përgatitet ligji integral për të cilin puna ka filluar dhe është asistuar edhe nga disa partnerë të huaj”, tha Shalsi sot në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financat.

Ndërkohë deputetja e opozitës, Jorida Tabaku tha se ligji është jashtëzakonisht abuziv dhe klientelist.

Ndryshimet ligjore të propozuara nga Shalsi parashikonin të rrisin vlerën e investimeve deri në 100 milionë euro për ato investime që do të marrin statusin “investitor strategjik me procedurë të veçantë”, dhe t’i japin më shumë rol në vendimmarje ministrive të linjës për të përgatitur studimet dhe kontratat.

Por propozimet e tij u rrëzuan edhe nga Këshilli i Ministrave, i cili me anë të një dokumenti të emërtuar “dhënie mendimi” dha dakordësi vetëm për shtyrjen e afatit.

Edhe pse nisi si një ligj i përkohshëm, socialistët po tentojnë ta kthejnë atë në një ligj të përhershëm.

Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015, u shty 5 herë dhe afati i fundit ishte deri më 31 dhjetor 2023 ndërsa propozimi i Shalsit ishte deri në vitin 2027.

Ligji pati kritika që në fillim për klientelizëm dhe si favorizues i një grupi të vogël biznesesh dhe emrash “VIP” në Shqipëri, me lidhje të afërta me kryeministrin Edi Rama.