Kryetari i ri i Kuvendit, Niko Peleshi ka ftuar sot në një takim konsultures krerët e grupeve parlamentare, ku në fokus do të jetë diskutimi për formimin e organeve të reja të Kuvendit.
Takimi do të jetë pak para mesditës dhe pritet që të përzgjidhen anëtarët e delegacioneve, Byrosë së Kuvendit dhe Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren.
Peleshi do t’u prezantojë palëve edhe një draft për ndryshimin e shpejtë të Rregullores së Kuvendit, që do t’i hapë rrugë rikonceptimit të Komisioneve Parlamentare.
Në total do të jenë 11 komisione, të cilat u prezantuan edhe kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, ku 7 do të drejtohen nga mazhoranca dhe katër nga opozita.
Pas ristrukturimit të Parlamentit, Kuvendi do të zhvillojë një debat dy-ditor të enjten dhe të premten, për programin qeverisës dhe përbërjen e kabinetit “Rama 4”.
KOMISIONET NËN DREJTIMIN E PS:
Ekonominë, Punësimin dhe Financat
Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes
Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm
Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural
Evropa dhe Punët e Jashtme
Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale
KOMISIONET NËN DREJTIMIN E PD:
Edukimin, Shkencën dhe sportet
Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale
Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik
Kulturën, Turizmin dhe Diasporën