Nis puna për “Sterilizimin”, mbahet sot mbledhja e parë e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë

Pas një beteje të gjatë, ku prej muajsh Rithemelimi ka protestuar në Kuvend për ngritjen e Komisioneve Hetimore, sot do të nisë punën Komisioni i parë hetimor, ai për Koncesionet në Shëndetësi.

Kryetarja e këtij komisioni, Albana Vokshi, ka njoftuar në orën 11:00 mbledhjen e parë të Komisionit, që përgjatë 4 muajve do të bëjë hetimin parlamentar të dy koncesioneve të dhëna në shëndetësi,  Sterilizimin dhe Check-Up, të dyja këto koncesione janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Pas miratimit në Seancën Plenare të Kuvendit, datë 21.03.2021, bazuar në ligjin “Për Organizimi dhe Funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, mbledhja e parë e “Komisionit Hetimor të Kuvendit për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-Up në Shëndetësi” do të zhvillohet ditën e hënë, datë 25 mars 2024, ora 11.00 në Kryesinë e Kuvendit”, thuhet ne njoftimin e Albana Vokshit.

Komisioni hetimor për shërbimin publik të sterilizimit dhe shërbimit publik të check-up në shëndetësi u miratua në Kuvend me 95 vota pro (71 prej të cilave nga PS dhe vetëm 24 nga pala kërkuese), një abstenim dhe asnjë kundër. Ngritja e dy komisioneve hetimore, sterilizimi dhe trajtimi i të dhënave të sistemit TIMS ishin pjesë e marrëveshjes mes PS dhe ‘Rithemelimit’ që riktheu normalitetin në Kuvend.

Deri më tani lidhur me koncesionin e sterilizimit kanë rënë në pranga ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj pasi akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe mashtrim. Ndërsa, gjykata ka kërkuar hetime edhe për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani.

Sipas prokurorisë, Rrjepaj manipuloi kostot e shërbimit ndërsa transferoi fitimet në formën e kontratave të konsulencës te një kompani e cila ishte gjithashtu nën pronësinë e tij dhe që kishte vetëm një klient të madh, pra kompaninë koncesionare. Pasi prokurorët nuk gjetën fillimisht vepër penale nga ana e ish-ministrit Ilir Beqaj, gjykata urdhëroi hetime të mëtejshme, të cilat sollën thirrjen e tij si të pandehur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Ndërsa, rezultatet e hetimit për koncesionin e Check Up nuk janë ende të ditura.