Nga Gramoz Sako në Tepelenë te Brunilda Mersini në Vlorë, PS zyrtarizon kandidatët për zgjedhjet e 9 Nëntorit

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot Kryesinë e Partisë Socialiste për të finalizuar listën e kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki të vendit, të cilat do të mbahen në 9 Nëntor.

Kandidatja e parë që u prezantua nga Rama ka qenë Ogerta Manastirliu për zgjedhjet e Bashkisë Tiranë, emrin e të cilës kryeministri e bëri publik gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, rreth një muaj më parë.

Pas përfundimit të mbledhjes, drejtuesit politik të qarqeve, dolën para selisë rozë duke publikuar emrat e kandidatëve në 6 bashkitë.

Kandidat për Bashkinë e Tepelenës, do të jetë Gramoz Sako, i cili më herët ka qenë në krye të Gardës së Republikës.

Altin Bojni është kandidati që PS ka zgjedhur për Bashkinë e Matit.

Në Berat, Ervin Ceca është kandidati i të majtëve në zgjedhjet e 9 Nëntorit.

Në Vlorë, pas dorëheqjes së Ermal Dredhës, deputetja Brunilda Mersini është e zgjedhura e PS për të kandiduar në zgjedhje.

Ndërkohë Florenc Doka do të kandidojë në Bashkinë e Cërrikut.