Në kërkim për atentatin ndaj babë e bir në Dukagjin, Gjovalin Guri flet nga arratia: Jam i pafajshëm, kërkoj vetëm drejtësi

Gjovalin Guri, i shpallur në kërkim nga policia si i dyshuari kryesor për atentatin ndaj xhaxhait dhe kushëririt të tij, Zef e Gjin Gurit në Dukagjin, ka folur nga arratia, duke hedhur poshtë akuzat ndaj tij.

Atentati ndaj babë e bir ndodhi në 27 shtator, ku si pasojë e plumbave të kallashniokovit ndërroi jetë në vend Zef Guri (babai), ndërsa mbeti i plagosur rëndë Gjin Guri, i cili ndodhet në spital nënë kujdesin e mjekëve.

Gjovalin Guri, i cili është në arrati prej 2 vitesh pasi akuzohet për kultivim kanabisi, në intervistën për Neës 24, thotë se ka qenë i fshehur në një shtëpi kur ndodhi ngjarja dhe e ka mësuar për atentatin përmes një telefonate.

Policia e Shkodrës dyshon për Gjovalin Gurin për shkak se ky i fundit ka patur konflikte me xhaxhanë dhe kushëririn për shfrytëzimin e një hapësire pyjore në njësinë Shosh të Dukagjinit, por 40 vjeçari thotë se ka vite që nuk merret me atë punë.

Ai kërkon nga shteti të bëhet vetëm drjetësi dhe të hiqen akuzat ndaj tij sepse pretendon se është i pafajshëm qoftë për vrasjen por edhe për kanabisin ndërsa rrëfen edhe jetën e vështirë në arrati prej dy vitesh.