Ndryshon buxheti, fonde për bujqësinë dhe rindërtimin, ministri Mete: Rishpërndahen rreth 430 milionë euro

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është miratuar Akti Normativ për ndryshime të Buxhetit të vitit 2023.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, tha se nëpërmjet këtij akti normativ, do të rishpërndahen rreth 46 miliardë lekë, duke synuar përshpejtimin e rritjes ekonomike. Nëpërmjet aktit normativ mbështetet procesi i rindërtimit me afro 12 miliardë lekë, ndërsa do të alokohen rreth 1.8 miliardë lekë për skemën e naftës dhe skemat e mbështetjes së fermerëve.

“Nëpërmjet këtij akti normativ rishpërndahen rreth 46 miliardë lekë, me synim përshpejtimin e projekteve me performancë pozitive dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

Kjo bëhet e mundur edhe falë një ecurie pozitive të sektorit energjetik, i cili nuk ka pasur nevojë për mbështetjen buxhetore të parashikuar në fillim të vitit.

Nëpërmjet aktit normativ mbështetet procesi i rindërtimit me afro 12 miliardë lekë, me synim avancimin dhe përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi.

Gjithashtu, alokohen rreth 1.8 miliardë lekë për skemën e naftës dhe skemat e mbështetjes së fermerëve, për të cilat Ministria e Bujqësisë do të sigurohet për disbursimin e tyre deri në fund të vitit.

Parashikohet një shtesë për fondin e ish-të përndjekurve politikë, me synim përshpejtimin e pagesave për këtë kategori përfituesish.

Akti normativ mbështet gjithashtu projektet në infrastrukturë, kryesisht në rrugë, ujësjellësa dhe kanalizime.

Ndërkohë, parametrat makro-fiskalë vazhdojnë të synojnë uljen e borxhit publik, duke mbajtur të pandryshuar defiçitin buxhetor”, tha Mete.