Një 16 vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik në Itali. Viktima është Lorenzo Çela, i cili për një muaj do të festonte ditëlindjen e tij të 17-të.
I riu, u dërgua në një spital në Brescia në gjendje kritike për jetën pasi makina me të cilën udhëtonte së bashku me të dashurën dhe nënën e saj u përfshi në aksident.
Ndërkohë prindërit e tij, Alket dhe Fabienne, mes dhimbjes kanë vendosur që të dhurojnë organet e djalit të tyre.
16 vjeçari kishte një pasion të madh për futbollin, luante në ekipin e të rinjve të Desenzanos, nuk mungonte asnjëherë në stërvitje dhe gjatë ndeshjeve ofroi kontributin e tij si fizikisht ashtu edhe moralisht për ekipin.
Lajmi për vdekjen e tij tronditi qytetin ku ai jetonte, dhe në rrjete sociale ishin me qindra persona që shprehën dhimbjen për ndarjen nga jeta të tij.
“Një goditje në zemër për këtë lajm shumë të trishtë. Xhaxhai yt Klodi ishte shumë krenar për ty, për arritjet dhe për arsimimin tënd të mrekullueshëm”, tha xhaxhai i tij.
Ndërkohë autoritetet atje kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, që i mori jetën të riut shqiptar.